E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Ballkani anëtarësim pas 2020



Përveç Kroacisë, asnjë vend i Ballkanit nuk do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian përpara vitit 2020. Kjo konfirmohet nga mediat ndërkombëtare, vetëm pak ditë përpara samitit të Unionit i cili do të mbahet më 2 qershor në Sarajevë. Gazeta kroate “Jutarnji List” shkruan në formatin online, se në draftin që do të zyrtarizohet në samit, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së nuk do të mund t’i ofrojnë vendeve të rajonit asnjë premtim konkret apo datë për integrimin e Ballkanit në BE. “është e vështirë të besohet se vende si Gjermania dhe Holanda të bien dakord për të ndërmarrë hapa që shihen si përpjekje për të përshpejtuar procesin e zgjerimit. Duke marrë parasysh situatën aktuale, plotësimin e kritereve nga Kroacia dhe faktin që ende nuk është mbyllur kapitulli i Drejtësisë, besohet se ky vend do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, në 2013 dhe më pas asnjë vend tjetër nuk do të anëtarësohet përpara vitit 2020. Edhe nëse të gjitha gjërat shkojnë sipas planit, Serbia mund të marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2011, mund të hapë negociatat në 2012, por nuk mund të anëtarësohet përpara vitit 2020”, tha një burim në Bashkimin Evropian për gazetën kroate. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian, mësohet se do të këmbëngulin shumë në kriterin e luftës kundër korrupsionit, fenomen shumë i përhapur në rajon. Plotësimi i këtij kushti bëhet akoma më domethënës po të kihet parasysh eksperienca e fundit me anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë, të cilat nuk i kishin plotësuar të gjitha kriteret. Në të njëjtën kohë bëhet e ditur se vendet e bllokut Evropian do të kërkojnë që anëtarësimi i rajonit të mos bëhet në mënyrën e deritanishme, për shkak të konflikteve mes Kroacisë dhe Sllovenisë, apo Maqedonisë me Greqinë (vend ky anëtar i BE-së), të cilat mund të sjellin bllokimin e integrimit të njëra-tjetrës. BE do të përpiqet që vendet fqinje, të mos kenë mundësi të shfrytëzimit të vetos. Në mbledhjen e 2 qershorit pritet që ministrat e Jashtëm të BE-së, të votojnë parimisht për heqjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen, ndërkohë që do të duhet edhe vota e Parlamentit Evropian për të bërë të mundur hyrjen në fuqi të këtij vendimi. Ndërkohë pak ditë më parë, Rumania dhe Bullgaria, së bashku me Greqinë, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në Bukuresht, ku shprehin mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ministri i Jashtëm rumun, Teodor Bakonshi u shpreh se këto tri vende kanë miratuar një deklaratë, ku theksojnë angazhimin e përbashkët për perspektiven e Ballkanit Perëndimor. Në takim ishin të pranishëm kryediplomati rumun si dhe homologët, Mladenov i Bullgarisë dhe Ministri i Jashtem grek në detyrë, Drucas. Bisedimet trepalëshe u bënë pak ditë para Samitit të Sarajevës dhe në mbyllje, ata firmosën një letër të cilën ia dërguan Shefes për Politikën e Jashtme të BE-së, Kathrin Ashton dhe Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule. “Në shprehëm kërkesën tonë për të ringjallur debatin rreth zgjerimit në drejtim të Ballkanit Perëndimor”, - tha Mladenov, por shtoi se “reformat e brendshme janë jetike për vendet në rajon, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Po ashtu, edhe progresi rreth axhendes evropiane, bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet bilaterale.

Anëtarësimi
Kroacia është vendi që ndodhet më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, mosmarrëveshjet për shkak të kufirit me Slloveninë dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë pengesat që mbajnë këtë vend ende larg Brukselit. Turqia është që nga 1963 anëtar i asociuar, ndërkohë që në 2004, Këshilli i BE vendosi nisjen e negociatave. Maqedonia ka marrë nga 2005 statusin e vendit kandidat. Por Greqia ka kërcënuar me vendosjen e vetos deri sa të zgjidhet çështja e emrit të Maqedonisë. Bosnje Hercegovina nënshkroi MSA-në me BE-në në vitin 2008. Shqipëria nënshkroi në vitin 2007 MSA-në dhe në prill të këtij viti aplikoi për të marrë statusin e vendit kandidat. Mali i Zi bëri aplikimin për anëtarësim në BE në vitin 2008 dhe pret që këtë vit të marrë statusin kandidat. Ndërsa Serbisë iu ofrua perspektiva e anëtarësimit në vitin 2005, ndërkohë që ende nuk e ka bërë aplikimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›