Ligji për minierat, pikat që kundërshtojnë investitorët
nertila maho
Mbledhja e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese është shoqëruar dje me debate për ligjin "Mbi sektorin minerar". Përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministrisë së Mjedisit dhe kompanive investitore kanë dhënë para deputetëve sqarimet dhe propozimet përkatëse lidhur me projektligjin. Përparim Alikaj, kryetar i nënkomitetit të mineraleve në Shoqatën e Investitorëve të Shqipërisë dhe koordinator për dy kompani të huaja që kryejnë kërkim-zbulim në vend, ka parashtruar një sërë kërkesash. Sipas tij, koha e vënë në dispozicion të investitorit është e shkurtë dhe sipërfaqja e zbulimit është reduktuar 10-fish. "Siç është përcaktuar në ligjin minerar, fillimisht bëhet kërkim për një vit dhe pas një viti pasi ke kryer procedurat, duhet të bësh kërkim-zbulim, mirëpo kjo harxhon kohë dhe nga ana tjetër drafti i ligjit minerar përcakton që kjo kohë do të jetë vetëm 2 vjet dhe për 20 km2 nga 200 që është sot. është një ndryshim jashtëzakonisht i madh. Në muajin nëntor u propozua që sipërfaqja të ishte të paktën 50 km2, çka duket më e arsyeshme", theksoi Alikaj. Sipas tij, ulja e sipërfaqes deri në këtë nivel mund të frenojë investitorët, të cilët do të mendohen disa herë para se të kryejnë një investim me një risk kaq të madh. Edhe nëse aplikohet marrja e 10 lejeve, sipas Alikajt, kjo do të përbënte problem, sepse kompanisë do t'i duhej që të vinte në punë 10 sonda njëkohësisht. Lidhur me kompanitë fantazmë, Përparim Alikaj propozoi vendosjen e një tarife angazhimi, që do të garantojë që kompania merr përsipër të investojë një minimum shpenzimi dhe nëse ky shpenzim nuk bëhet, atëherë ajo del automatikisht nga tregu. Ndërkohë ai u ndal edhe një herë tek propozimi për kohën e zbulimit. "Kjo kohë është mjaft e shkurtër prej dy vitesh. Ligji përcakton një vit dhe një sipërfaqe 20 km2. Mbas një viti ajo të reduktohet në 50% të saj, që i thonë 10 km2 dhe mbas dy vjetësh të reduktohet me 25% dhe mbetet vetëm 25% e sipërfaqes. Pra, është shumë e vështirë që në dy vjet të arrish në një vendburim direkt, të bësh kërkim, zbulim dhe zbulim të lejuar. Pas përfundimit të afatit dyvjeçar, investitorit i bëhet një shtesë njëvjeçare, që është shumë pak. Kompanitë e huaja pa përjashtim duan që kjo procedurë nga 5 vite të bëhet 6 dhe jo të shkurtohet", tha Alikaj.
Debati me ministritë
Dy ministritë që duhet të jepnin dje sqarime para Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese kanë qenë ajo e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ajo e Mjedisit. Mes anëtarëve të komisionit dhe përfaqësuesve të ministrive pati disa herë përplase për çështje procedurash dhe terminologjie lidhur me projektligjin. Fillimisht përfaqësuesit të Ministrisë së Ekonomisë kërkuan shpjegime se pse Ministrisë së Mjedisit nuk i është kërkuar mendim që në fillim për ligjin, duke qenë se ai përfshin në vetvete një sërë kompetencash të këtij të fundit. Nga ana tjetër, problematike është shfaqur pjesa e diskutimit të neneve, ku shumica e anëtarëve kanë ardhur me propozime për shtesa ose ndryshime. Në përfundim të mbledhjes, komisioni ka vendosur që të vazhdojë diskutimin për këtë projektligj në mbledhjen e ardhshme.