Incidenti, përjashtohet Tom Doshi
Erald Kapri
Maxhoranca dhe opozita rikthejnë tensionin në sallën e Kuvendit. Kjo ishte seanca e parë kur opozita vendosi të kthehet me kohë të plotë në Kuvend, por ky fakt nuk pengoi që në sallë të ketë shkëmbim akuzash deri në tentativë për konfrontim fizik. Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, dhe deputeti i PS-së, Tom Doshi, shkëmbyen fjalë në sallën e Kuvendit dhe falë punonjësve të Gardës, situata nuk arriti të degjenerojë deri në grushte mes tyre. Ishte momenti kur deputeti i PD-së, Strazimiri mori fjalën në Kuvend, nga ku deklaroi se nuk e dinte nëse opozita do të vinte të qëndronte në Kuvend pasi, sipas tij, ata urdhërohen me sms, të cilat më pas u shkojnë edhe familjarëve. "Natyrisht, nuk e di nëse do të rrini gjatë, apo do ikni përsëri, pasi zakonisht ju lajmërojnë me sms. Pastaj me sms lajmëroni edhe familjarët, siç kësaj radhe. Gjithsesi, një këshillë shumë të sinqertë...këtë ultimatum dy-javor, siç e keni konceptuar që iu dha Evropa, shfrytëzojeni mirë për të lexuar Kodin Elektoral, veçanërisht nenin 178 sepse atje është gjëegjëza... ndryshe do t'u lërë prapë 19 ditë të tjera në rrugë. Nëse pastaj, ajo sms fatale që i trembi të gjithë do të vijë...", deklaroi Strazimiri. Këto fjalë të deputetit të PD-së shkaktuan reagimin e ashpër të deputetëve Tom Doshi e Erjon Braçe, të cilët iu drejtuan me të bërtitur deputetit të PD-së, duke i kërkuar atij që të mos përmendë familjarët. Deputeti i PD-së, Doshi, iu afrua podiumit ku Strazimiri po mbante fjalën, por punonjësit e Gardës së Republikës nuk lejuan konfrontimin e tyre fizik, pasi u tentua të goditeshin me grushte, një situatë që deputeti Doshi u dënua me 2 javë pezullim nga punimet e Kuvendit. Të dy deputetët i lëshuan sfidë njëri-tjetrit, duke e ftuar të dalë jashtë salle për t'u konfrontuar fizikisht. Media u detyrua të largohet jashtë salle, ndërsa për mëse 30 minuta seanca u pezullua. Gjatë pushimit, Topalli thirri në zyrë dy krerët e grupeve Parlamentare, nga ku u vendos që të vijojë seanca.
Përjashtimi
Pas mbylljes së seancës u mblodh Byroja e Kuvendit, e cila vendosi që deputeti i PS-së, Tom Doshi, të përjashtohet nga punimet e Kuvendit për dy javë. Vendimi erdhi pas kërkesës së 7 deputetëve të PD-së si, Jemin Gjana, Sybi Hida, Igli Cara, Fatos Beja, Arenca Trashani, Gëzim Dibra dhe Edmond Spaho, të cilët kërkuan këtë masë disiplinore. Byroja mori vendimin unanimisht, në një kohë kur PS-ja ende nuk ka asnjë përfaqësues në Byronë e Kuvendit, për shkak të bojkotit që nga fillimi i punimeve të seancës.
Debatet në seancën e djeshme
Valentina Leskaj: Kjo është arsyeja themelore se pse për ne nuk është e pranueshme asnjë zgjidhje, që nuk garanton hapjen e kutive, se pse për ne nuk mund të ketë transparencë me kuti të mbyllura apo fletë votimi të djegura.
Vasilika Hysi: Kutitë të hapen, materialet zgjedhore të shkojnë në arkiv dhe fletët e votimit të digjen se këtë e thotë neni 178. Ky është mashtrimi i radhës.
Mesila Doda: Retorika juaj ka qenë e pa vlerë, shpifarak, që keni ditë dhe javë të tëra që i dëgjojmë nga goja juaj. Janë fraza vulgare të dëgjuara edhe në filmat me partizanë dhe në ato me diversantë të kohës së Enverit. Ju keni thyer çdo limit në përdorimin e retorikës së keqe, duke i lënë politikës një shije të keqe.
Damian Gjiknuri: Ne e dimë merakun tuaj që transparenca mund të sjellë turpërimin tuaj. Duhet të punojnë së bashku që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, që të mundësojmë transparencën, por që edhe turpërimin të mos e çojmë deri në fund. Në fund të fundit ky është kompromisi.
Enkelejd Alibeaj: Të nderuar çadristë. Së pari ju uroj mirëseardhjen njëherë e përgjithmonë në Kuvend. Serioziteti i të bërit politikë, nuk mund të arrihet me kërkim formal të kompromisit, nuk jam aspak për mosarritjen e kompromisit. J'ua kemi bërë të qartë, nuk bëhet fjalë për djegie fletësh por për procedurë kushtetuese.
Eduard Shalsi: Kemi parë të njëjtën politikë që nuk është rastësi, por është pasojë e një filozofie të lodhur. Të një filozofie të mbrapshtë e cinike, që synon të ndajë dhe jo të bashkojë shqiptarët.
Gent Strazimiri: Sipas vendit dhe Kuvendit, urimi im për kolegët e opozitës është të tilla fitore paçi gjithnjë. Siç e keni pasur në vitin 2009, në 2007, në 2005, e kësaj radhe. Natyrisht nuk e di nëse do të rrini gjatë, apo do ikni përsëri pasi zakonisht ju lajmërojnë me sms. Pastaj me sms lajmëroni edhe familjarët, siç kësaj radhe. Gjithsesi një këshillë shumë të sinqertë...këtë ultimatum dy javor, siç e keni konceptuar që iu dha Evropa, shfrytëzojeni mirë për të lexuar Kodin Elektoral, veçanërisht nenin 178 sepse atje është gjëegjëza, ndryshe do t'u lërë prapë 19 ditë të tjera në rrugë. Nëse pastaj ajo sms fatale që i trembi të gjithë do të vijë...(Ndërpritet seanca nga reagimi i deputetëve Tom Doshi, Erjon Braçe, Gent Strazimiri)
Ditmir Bushati: Partnerët na dhanë dy javë kohë për të zgjidhur krizën. Unë dua të besoj se Kryeministri është i vetëdijshëm për kontekstin në të cilin ndodhet vendi.
Gramoz Ruçi: Shansi i dhënë në tryezën e Strasburgut nuk duhet humbur. Hapja e kutive për ne si opozitë nuk duhet të diskutohet më dhe as hetimi i pakushtëzuar i kutive nuk duhet vonuar përtej këtij kufiri dyjavor. Ne jemi gati të arrijmë marrëveshjen edhe më parë se dy javë. Kutitë nuk duhet të diskutohen më dhe Komisioni Hetimor duhet të jetë i pakushtëzuar.
Astrit Patozi: Ofertën tonë e keni në tavolinë, tani e përgjithmonë. Të hapur për çdo lloj transparence, që nuk dhunon dhe kapërcen Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Brenda kësaj kornize është një hapësirë e pamatë për marrëveshje dhe mirëkuptim. Ndërsa jashtë saj, askush prej nesh nuk mund dhe nuk duhet të guxojë të afrohet. Ndërkohë, do të kisha një ftesë të sinqertë për të gjithë kolegët e Partisë Socialiste, për gjithë grupin e tyre parlamentar. Jo ultimatume, sepse ato nuk të çojnë asgjëkundi. Në një vend ku po konsolidohet me shpejtësi shteti ligjor, gjuha e forcës është sa joproduktive, aq edhe politikë arkaike. Aq më pak, ultimatumet me data të përcaktuara.
Kuvendi, seanca e radhës pas 10 ditësh
Seanca e radhës së Kuvendit do të mblidhet pas 10 ditësh. Lajmin e bëri të ditur Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila në fund të seancës së djeshme lajmëroi deputetët se seanca e radhës do të mblidhet në datën 3 qershor. Në këtë periudhë do të vijojnë të mblidhen komisionet parlamentare për shqyrtimin e projektligjeve, ku pjesë e diskutimeve do të jenë edhe deputetët e opozitës. Në seancën e djeshme, Kryetarja e Kuvendit njoftoi deputetët për disa ndryshime në rendin e ditës, pas takimit me kryetarët e grupeve parlamentare. Ndryshimet konsistonin në shtyrjen për në seancat e ardhshme të shqyrtimit të projektligjit "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e NATO-s "Për komunikimin e informacionit teknik për qëllime të mbrojtjes", projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 "Për akcizat", të ndryshuar dhe të miratimit të projektrezolutës për Avokatin e Prokurimeve.
Patozi: Ofertën e keni në tavolinë
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi deklaroi dje në Kuvend se maxhoranca nuk lëviz nga qëndrimin i saj. Sipas Patozit, maxhoranca i ka dërguar në tavolinë opozitës ofertën e saj. "Ofertën tonë e keni në tavolinë, tani e përgjithmonë. Të hapur për çdo lloj transparence, që nuk dhunon dhe kapërcen Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Brenda kësaj kornize është një hapësirë e pamatë për marrëveshje dhe mirëkuptim. Ndërsa jashtë saj, askush prej nesh nuk mund dhe nuk duhet të guxojë të afrohet", tha Patozi.
Ruçi: Gati për marrëveshjen
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramos Ruçi deklaroi dje në Kuvend se opozita është gati për të arritur marrëveshjen, madje më herët se ultimatumi i dhënë nga ndërkombëtarët. Sipas Ruçit, nuk duhet të diskutohet transparenca e zgjedhjeve. "Hapja e kutive për ne si opozitë, nuk duhet të diskutohet më dhe as hetimi i pakushtëzuar i kutive nuk duhet vonuar përtej këtij kufiri dyjavor. Ne jemi gati të arrijmë marrëveshjen edhe më parë se dy javë. Kutitë nuk duhet të diskutohen më dhe Komisioni Hetimor duhet të jetë i pakushtëzuar", tha Ruçi.