E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë rrëzon padinë e Aneta Ramës: Nuk ka shpifje



TIRANE - Gjykata e Lartë pushoi dje çështjen ndaj Kryeministrit Sali Berisha, paditur për shpifje prej Aneta Ramës, nënës së kreut të opozitës Edi Rama. Kolegji penal, që shqyrtoi paraprakisht ankesën e nënës së kryesocialistit, argumentoi dje se deklaratat e Kryeministrit nuk ishin provuar nga pala paditëse të ishin shpifje, ishin bërë në kuadrin e debatit politik dhe nuk i ishin adresuar paditëses. "Vepra penale, e pretenduar nga ankuesja Aneta Rama, nuk i kundër drejtohet asaj", argumentoi dje, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili më tej pohoi se në bazë të nenit 290 dhe 291 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: "Mosfillimin e procedimit penal ndaj shtetasit Sali Berisha, për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht, të parashikuar në nenin 120/2 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në dëm të kërkueses Aneta Rama". Gjatë seancës së djeshme, Gjykata e Lartë dëgjoi prapësimet e padisë së palës së paditur, ku mbrojtja e Kryeministrit pohoi në proces se paditësit nuk kishin arritur të vërtetonin se fjalët e Berishës në seancën parlamentare të 26 nëntorit, të vitit të kaluar, ishin shpifje dhe fyerje të adresuara ndaj paditëses. Për më tepër, sipas tyre, në momentin që Kryeministri e ka përmendur paditësen, ai është shprehur me vlerësim për të. Menjëherë pas procesit, përfaqësuesit ligjorë të Aneta Ramës u shprehën se do e ankimonin këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë rrëzimi i padisë penale ndaj Kryeministrit bën që t'i mbyllet rruga padisë civile për dëmshpërblim, që nëna e kryesocialistit do të depozitonte ndaj tij në Gjykatën e Tiranës. fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›