Do t’i tregoj Messit se kush jam unë

Messi pa dyshim konsiderohet si lojtari më i mirë në botë për momentin, por ekziston një debat se nëse ylli i Barcelonës është më i mirë se legjendat e futbollit, Pele apo Diego Maradona.
Messi së fundmi ka thënë se nuk e ka parë kurrë duke luajtur Pelen dhe si rezultat i kësaj deklarate, ish-futbollisti i Santosit po mendon t’ia dërgojë atij një video xhirim nga dokumentari i bërë për të në vitin 2004. Pele shënonte 1281 gola nga 1363 ndeshje.
“Është normale që kur një lojtar krahasohet me një lojtar të një periudhe tjetër, nganjëherë nuk është i interesuar për krahasime. Nëse ai në të vërtetë nuk më ka parë mua, do ta bëj atë që e kam bërë edhe me Maradonën. Do t’ia dërgoj atij videon ‘Pele Eterno’ dhe më pas do të më njohë”, theksoi ish-futbollisti brazilian.
Pele është shënuesi më i mirë i përfaqësueses së Brazilit me 77 gola, ndërsa është lojtari i vetëm në histori të futbollit që e ka fituar tri herë Kampionatin botëror.