E Diel, 1 Nëntor 2026

Do ta kalojë Kina SHBA-në?

EKONOMIA GLOBALE

Ridimensionim i pritshëm, apo i nevojshëm? Pak ditë më parë, në një raport që bëhet çdo 4 vjet, të quajtur Trende Globale 2025, të Këshillit Kombëtar të Inteligjencës në SHBA, vihej theksi te rritja e fuqisë strategjike, ekonomike dhe ushtarake e Kinës dhe Rusisë dhe rikthimit drejt një bote multipolare, ku, roli i Amerikës si superfuqi e vetme nuk ishte i garantuar. Dollari po e humbet gradualisht forcën e tij dominuese si monedha kryesore dhe, kriza aktuale financiare e një sistemi ultra-liberist, që duket se ka dalë jashtë kontrollit, në mos kanë lëkundur themelet e pozicionit aktual amerikan si një kuazi-hegjemon që dominon nën flamurin e globalizimit, kanë shtuar zërat për një rikonceptim të rolit të pakundërshtuar të SHBA-së si lider i paprecedentë, për më shumë se një shekull dhe i paparaleltë, për më tepër se një dekadë.

Ajo që dihet me siguri, është se Evropa e Bashkuar është një ‘gjigant ekonomik, por xhuxh financiar’, sikundër ri- theksohej te raporti i fundit i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës, apo se me rritjen ekonomike aktuale të Kinës, shumë shpejt, madje pa arritur ende 2025-n, Kina mund ta kalojë SHBA-në në krye të renditjes së shteteve me ekonominë më të fuqishme botërore. Edhe rritja e ngadalësuar ekonomike e kinezëve, që duket se është projektuar në 7-8 për qind për vitin që vjen, në ndryshim nga 9 për qind në vit që ka qenë deri tani, është ku e ku më e lartë se ajo e partnerëve evropianë apo amerikanë. Po t`i shtosh kësaj faktin që shpeshherë disa tregues makro-ekonomikë u fshihen ndërkombëtarëve për të vazhduar përfitimin nga skemat financiare që ndihmojnë vendet në zhvillim, si dhe lëvizjen përherë e më tepër të shumëkombëshve në territorin kinez, si dhe faktin që një shtrese e re miliarderësh, por edhe shtrese të mesme ka filluar të projektohet qartazi atje, fuqizimi dhe ndikimi të paktën rajonal, por edhe global i Kinës do vijë vazhdimisht në ngjitje. Për sa i takon rajonit, mund të thuhet që sasia e tregtisë, që vendet e Azisë së Largët dhe Juglindore bëjnë me njëri-tjetrin, i tejkalon disa herë nivelet e shkëmbimeve tregtare që ata kanë me të tretët, çka e përforcon tezën e një rajoni dinamik dhe që ka qartazi dy fuqi rajonale par excellence, Kinën dhe Japoninë, si dhe Indinë që nuk ngelet shumë pas, për mos të folur për Tigrat e Azisë, etj.

Pyetja që shtroja në titullin e këtij shkrimi, ngjan si pa sens, pasi pritshmëria nuk e përjashton nevojshmërinë dhe as garanton siguri maksimale nga ana tjetër, apo paevitueshmëri, e thënë ndryshe. Projeksionet ngelen projeksione dhe ka ekonomistë dhe politikanë në Perëndim, që ngelen tepër skeptikë në një fuqi reale politiko-ushtarake të Moskës apo Pekinit, p.sh., dhe vënë theksin që, rritja ekonomike, jo domosdoshmërisht përkthehet në muskuj gjeopolitikë dhe gjeostrategjikë. Nga ana tjetër, kemi zëra që argumentojnë që asgjë të keqe nuk ka në një rikonfigurim të ri shumëpolar, me aleanca fluide dhe pragmatiste, të afta për të kundërbalancuar njëra-tjetrën në rast rreziku dhe të ndërtuara mbi baza interesash personalë. Madje, kjo gjë do të garantonte më tepër stabilitet në një botë përherë e më të trazuar nga rreziqe që kërcënojnë të gjitha palët njëtrajtësisht, të tillë si terrorizmi, sëmundjet e shekullit, krimi i organizuar, dobësitë e sistemit financiar global, të cilat nuk mund të luftohen vetëm me masa unilaterale etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›