E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi i Ylli Pinarit për Gërdecin

"Gërdecin e kam dëgjuar për herë të parë më 15 mars". Kështu shprehej kryeministri Sali Berisha, në një prej daljeve të tij të shpeshta publike, pas tragjedisë që u mori jetën 26 personave dhe plagosi 300 të tjerë. Kështu shprehej, megjithëse pas tragjedisë grupi hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme kishte sekuestruar disa kopje të raporteve të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ku Kryeministri i Shqipërisë njoftohej për gjendjen e sigurisë në vend, por edhe për transportimet ditore të armëve dhe municioneve drejt fabrikës së Gërdecit. Raporti i fundit ishte më 13 mars, dy ditë para shpërthimeve në fabrikën e vdekjes. Sigurisht që Berisha nuk e dinte, ashtu siç shpreheshin se nuk e dinin shumë prej pushtetarëve, megjithëse Gërdeci ishte bërë simboli i biznesit fitimprurës prej nga vinin miliardat për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për zyrtarët e saj. Ashtu siç e thoshte me gojën e tij, vetëm 200 metra larg selisë së kryeministrisë, Ylli Pinari në festën e ditëlindjes së vet, duke korrur duartrokitje dhe ovacione të mëdha nga të ftuarit. Pika kulmore e festimeve për 55-vjetorin e drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, ishte dekorimi i tij me medaljen “për Shërbime ushtarake”. Një motiv që, sipas ekspertëve, nuk qëndron për rastin e z.Pinari, i cili prej mëse dhjetë vitesh ishte pjesë e strukturës civile në Ministrinë e Mbrojtjes dhe nuk mund të merrte këtë vlerësim, pasi ishte ushtarak në lirim. Dekorimin e z.Pinari e bëri vetë shefi i shtabit, Luan Hoxha, i cili pasi lexoi edhe motivacionin për shërbime të shquara të drejtorit të MEICO-s për ushtrinë shqiptare i vari edhe dekoratën në gjoks. Një përshëndetje edhe nga ana e Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili mungonte në festë, sepse ndodhej, si shumë herë të tjera, për vizitë në SHBA. Mes duartrokitjeve frenetike të të pranishmëve, fjalën e mori drejtori i MEICO-s, i cili pasi falënderoi ministrinë dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, premtoi se do të punojë edhe më shumë për të mirën e dikasterit. “Keni për ta parë se si do të punojmë në të ardhmen, duke rritur të ardhurat për Ministrinë e Mbrojtjes. Bashkëpunime me privatët si në rastin e Gërdecit do të kenë impakt pozitiv në financat e ushtrisë tonë,”-premtoi Pinari në fjalën e tij. Fjala ishte për bazën e demontimit të municioneve në Gërdec dhe bashkëpunimit të MEICO-s me firmën “Albademil” në fshatin që do të kthehej në kasaphanë vetëm tri javë më vonë. “Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin e frytshëm që nisi në Gërdec për të mirën e ushtrisë shqiptare dhe të vendit,”-shprehej Pinari, ndërsa merrte si shpërblim duartrokitjet dhe avocionet e të pranishmëve në festë. Dhe gjatë festës së ditëlindjes, Delijorgji, në pamundësi për të qenë vetë i pranishëm në festë, nuk kish harruar të dërgonte një dhuratë të madhe për drejtorin e MEICO-s.

Ylli Pinari ishte një nga drejtorët më jetëgjatë të njërës prej tre ndërmarrjeve të Ministrisë së Mbrojtjes. MEICO dhe Pinari kishin gjetur njëri-tjetrin te ndërmarrja që kishte monopolin e eksport-importit të armëve dhe municioneve. Falë aftësive të tij ai kishte mundur të arrinte në “vetëadministrimin” e biznesit të armëve dhe municioneve, duke përfituar edhe nga fakti se ndërmarrja i kishte bizneset e saj, “top sekret” dhe larg transparencës për publikun, ndonëse disa herë me radhë tregtia e armëve dhe municioneve, ishte shndërruar në skandal ndërkombëtar siç ishte bllokimi i anijes me armë për Armeninë në konflikt me Azerbajxhanin, nga ana e autoriteteve turke.

Të dhënat që dolën në pah pas tragjedisë së Gërdecit, tregonin se MEICO nën drejtimin e tij, dhe nën miratimin e strukturave të larta të Ministrisë së Mbrojtjes, e kishte ushtruar veprimtarinë me një kuadër të paplotë ligjor dhe me një kontroll të mangët për eksportin dhe importimin e armëve dhe municioneve luftarake. Pesë vite para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit, autoritetet shqiptare, nën trysninë e donatorëve të huaj, kërkuan ta disiplinonin biznesin e ndërmarrjes MEICO, duke e detyruar atë që të raportojë disa herë në vit autoritetet më të larta të shtetit shqiptar. Por falë edhe armiqësisë së hapur të iniciuar nga qeveria, prej vitit 2005 ky raportim nuk ka ndodhur, ose është bërë me qark të shkurtër, mes qeverisë dhe MEICO-s, duke anashkaluar institucione të tjera. Siç ishte anashkalimi i raportimit te ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i cili në një prononcim të dhënë për “Shekulli-n” pas tragjedisë së Gërdecit, shprehej se megjithëse kishte kërkuar disa herë në raport ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, apo në vend të tij zëvendësministrin Petrit Karabina, askush nuk kishte denjuar të shkonte në presidencë për të raportuar për zhurmën që po bëhej për demontimin e municioneve të rrezikshme në reparte afër zonave të banuara, siç ishte edhe rasti tragjik i Gërdecit.

Edhe pse vendi ndodhej në zemër të një zone të banuar, 14 kilometra larg Tiranës, afër aeroportit “Nënë Tereza” dhe afër autostradës Tiranë-Durrës, ku përditë zbrazej pjesë-pjesë arsenali i municioneve të vjetra, që do të kish vijuar pafundësisht, nëse nuk do të shpërthente aksidentalisht, duke nxjerrë në dritë skandalin më të rëndë të ndodhur me ushtrinë shqiptare, nga ana e ndonjë qeverie shqiptare.

Profili

Pinari, drejtori që “fali” arsenalin ruso-kinez të ushtrisë

Pinari vinte nga një familje autoktone në Sauk të Tiranës. Ish-mekaniku, kishte arritur të bënte karrierë në ushtri, por më të madhen do ta bënte në krye të MEICO-s. Me prejardhje nga një familje e njohur pronarësh e dënuar nga regjimi komunist, megjithatë kishte arritur të mbaronte shkollën e mesme mekanike, të vishte uniformën e ushtarakut dhe të ngjiste shkallët e karrierës. Falë edhe një martese me një vajzë që vinte nga një familje “blloku”, por që do të përfundonte me divorc pas vitit 1990.

Prej atëherë karriera do të njihte vetëm ngjitje. Prej fundit të viteve '80 dhe përgjatë dy dekadave të fundit, emri i Ylli Pinarit do të lidhej me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me ndërmarrjen e Import-Eksportit të Armëve dhe Municioneve, ku do të ishte për shumë vite herë si nëndrejtor, herë si drejtor. Falë punës dhe aftësisë së tij drejtuese ai kishte arritur të vinte shumë pasuri, por pa hequr dorë nga detyra me risk si drejtor i MEICO-s, sepse sipas të njohurve, ai pëlqente të luante me rrezikun. Pinari kishte qenë prej gati një dekadë, bosi i ndërmarrjes shtetërore, deri në 18 mars 2008, kur u arrestua bashkë me Mihal Delijorgjin dhe drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec. Me këta dy emra lidhet edhe procesi i “çmontimit” të arsenalit ruso-kinez të ushtrisë shqiptare. Firma e Delijorgjit kishte fituar të drejtën për të shkatërruar MIG-ët e famshëm reaktivë të flotës ajrore shqiptare, model 15, 17 dhe 19 dhe ata copa-copa u shitën për skrap. Kështu edhe me 120 tanket e vjetra të ushtrisë shqiptare. Duke u pasuar edhe me skandale të shumta financiare. Sipas të dhënave të nxjerra nga grupi i prokurorëve, vetëm me shitjen e 120 tankeve, shtetit iu shkaktua një dëm prej 3.6 milionë dollarësh, sepse tanket u shitën për skrap te firma greke “Hellenic Vehicle Industry S.A” dhe, sipas kontratës së nënshkruar nga Pinari, në këmbim të 30 mijë tonëve skrap, janë marrë vetëm 20 makina ushtrie.

Ndërmarrja

"MEICO", shteti që jep dhe merr prodhime ushtarake

"MEICO" (Military Export Import Company) është ndërmarrje shtetërore, në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Kjo ndërmarrje është krijuar, në vitin 1991, me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr.366, datë 05.10.1991 "Për krijimin e Ndërmarrjes së Import-Eksportit në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes" dhe që nga ky vit ushtron veprimtarinë dhe aktivitetin e saj, për plotësimin e nevojave të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të institucioneve të tjera, me mallra importi specifike të karakterit ushtarak, si dhe eksportet e mallrave ushtarake të reja dhe stoqeve të Ushtrisë Shqiptare, si dhe të prodhimeve të industrisë ushtarake

Dekorimi i Ylli Pinarit nga Shefi i Shtabit, Luan Hoxha. Fjala e drejtorit të MEICO-s, për bashkëpunimin e frytshëm me privatët dhe premtimi për Gërdecë të tjerë për të rritur financat e Ministrisë së Mbrojtjes. Përshëndetja e Fatmir Mediut nga SHBA dhe dhurata e Delijorgjit. Kush ishte drejtori i ndërmarrjes shtetërore që çmontoi arsenalin e vjetër ruso-kinez të ushtrisë shqiptare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›