E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkozet, 60 shtëpi ende mes ujit, banorët: Skemi asnjë ndihmë

Durrës- Mes ujit e baltës, pa asnjë ndihmë dhe të revoltuar pasi ndihen të braktisur. Kështu i ka gjetur edhe dita e sotme banorët e Shkozeit në Durrës, zonë që u përmbyt pas reshjeve të fundit.

Në zonat e përmbytura, ku u dëmtuan rreth 60 shtëpi akoma nuk kanë mbërritur specialistët e zyrës së emergjencës në qark për të verifikuar dëmet e shkaktuara. Për këtë banorët shprehen shumë të revoltuar dhe të pazotë për të ndërhyrë vetë që të normalizojnë situatën.

“Vijnë tek ne vetëm për zgjedhje”- thotë Flutura Selmani, një nga banorët e zonës, shtëpia e së cilës ka mbetur ende mes ujit, ndërkohë që llumi e balta i ka mbuluar gjithë orenditë.

Sipas banorëve shkak për katastrofën që i gjeti është bërë kanali paralel me hekurudhën, që është i bllokuar. Sa herë ka reshje, ai ipërmbyt vazhdimisht. Mësohet se shumë herë janë deklaruar dhënie fondesh për pastrimin e tij, por asnjëherë ai nuk është pastruar.

E njëjta situatë është edhe në lagjen nr.14 në Shkozet. Banorët, pasi kanë pritur ndërhyrje, kanë venë me forcat e tyre një pompë për të kulluar ujin, që ka depërtuar në gjithë banesat e lagjes. Ndërkohë uji ka hyrë edhe në disa biznese, që edhe sot kishin ujë brenda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›