Do të falimentojnë Napoli, Palermo...

Kriza në Itali nuk është e ndërlidhur me ardhmërinë e Eurozonës, por ajo mund të vërehet edhe në gjendjen në të cilën ndodhen pushtetet lokale italiane. Më konkretisht, janë dhjetë qytete italiane, si për shembull, Napoli, Palermo apo Reggio Calabria, të cilët janë buzë falimentimit. Sipas gazetës britanike ‘Daily Telegraph’, korrupsionit shumëvjeçar, qeverisjes së keqe dhe papërgjegjësisë së politikanëve në Italinë e jugut, duket se më në fund u erdhi koha që t’i paguajnë ‘mëkatet’, dhe atë në kohën më të keqe të mundshme, kur Italia është goditur nga kriza ekonomike.
Për shkak të masave të kursimit dhe shkurtimeve buxhetore mbetet pikëpyetje nëse këtë vjeshtë në qytetet që ndodhen në buzë rënies në humnerën financiare do të mund të hapen shkollat lokale, të cilës gjë sigurisht që nuk i ndihmon as lidhja e strukturave lokale me mafian. Veç kësaj, këtu janë edhe planet e kursimit, të kryeministrit Monti, të cilat përfshijnë edhe uljen e buxhetit për shumë miliarda euro në vitin 2013, mjete këto që ishin paraparë për vetëqeverisje lokale. Këto shkurtime do të krijojnë një vakuum të pakapërcyeshëm për buxhetet e shumë qyteteve të Italisë jugore.
Falimentimi duket se do të jetë fat edhe i qytetit amerikan San Bernardino, në Kaliforni, i cili është qyteti i tretë më i madh i këtij shteti federal që ka shpallur falimentimin vetëm brenda muajit të fundit. Deri para pak kohësh në Kaliforni nuk mbanin mend se kur kishte ndodhur së fundmi që qyteti me më shumë se 200,000 banorë të ketë shpallur falimentimin, por tani të gjithë ata sikur po pajtohen me këtë zhvillim të pakëndshëm ngjarjeve. Që nga data 28 qershor e deri më sot kjo gjë iu ka ndodhur qyteteve Stockton, Mammoth Lakes dhe San Bernardino. Minusi i qytetit San Bernardino arrin shifrën marramendëse prej 45 milionë dollarëve.
Por, dallimi mes falimentimit të San Bernardino’s dhe qyteteve të jugut të Italisë është se, përveç mungesës së mjeteve financiare, falimentimi tek këto të fundit kërcënon edhe me bllokimin e plotë të sistemeve shoqërore të cilat nuk ndërlidhen drejtpërsëdrejti me prodhim, siç është rasti me shkollat e atjeshme. Në San Bernardino, me aq sa dihet, funksionimi i shkollave nuk vihet fare në pikëpyetje.