E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të jetë Obama president europian?

SHBA DHE BALLKANI

Shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni vazhdojnë të jenë më pro amerikanët në Ballkan, si dhe në mesin e popullsive myslimane në gjithë botën. Ata shpresojnë se politikat amerikane do të vazhdojnë në të njëjtin drejtim, ashtu si ato që siguruan jo vetëm pavarësinë e Kosovës, por edhe ftesën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Në Serbi, ku politikanët nuk kishin aleatë në administratën Bush, shpresojnë që raportet Beograd-Uashington do të përmirësohen me ardhjen në pushtet të presidentit të ri.

Por, nuk mund të priten ndryshime dramatike në këto raporte.

Në mesin e ekspertëve për Ballkanin, në Shtetet e Bashkuara ekziston mendimi i përbashkët se çështja e Kosovës është e mbyllur dhe se rruga e Serbisë drejt BE-së kalon përmes Hagës. Nënpresidenti Joe Biden është një nga zërat më të fuqishëm në këtë grup. Në Shkup, maqedonasit dyshojnë për ndikimin pro grek në ekipin e Obamës. Në gusht të 2007-ës, si anëtar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Obama nënshkroi një rezolutë që i jep përparësi Greqisë në bisedimet për emrin. Por, është e vështirë të besohet se presidenti i zgjedhur amerikan ka shkuar thellë në sagën greko-maqedonase.

Ballkani dhe Evropa shpejt do ta kuptojnë se në dallim nga John McCain, presidenti i zgjedhur amerikan nuk do të jetë një president evropian. Ai nuk ka pika reference me Luftën e Ftohtë dhe nuk ka qenë aktiv në politikën e jashtme gjatë viteve '90-të, kur Evropa Lindore ishte në qendër të debatit për rendin e ri.

Por, këshilltarët e Obamës kanë qenë tepër të përfshirë në politikat e atyre viteve, kur administrata Klinton përpiqej të zgjidhte konfliktet në ish-Jugosllavi. Megjithatë, Obama dhe ekipi i tij e kanë kuptuar se që atëherë bota ka ndryshuar thellësisht.

Presidenti i zgjedhur, Obama, në platformën e të cilit nuk është përmendur Ballkani, nuk do të ndjekë politikën për diplomaci nga fuqitë e mëdha. Mozaiku i zhvillimeve në të cilat Ballkani fitoi rëndësi politike gjatë 20 vjetëve të fundit, është zhdukur. Amerika pret nga Evropa që të merret me problemet e periferisë së vet, duke e integruar periferinë dhe të luajë një rol më të pjekur në botë.

Përparësitë e Obamës do të jenë lufta ndaj përhapjes së armëve bërthamore dhe terrorizmit, ndryshimet klimatike dhe ulja e varshmërisë nga nafta.

Dhe, në mbyllje, për vendet ballkanike të bashkuara nga urrejtja e politikanëve dhe mosbesimi në politikë, ka edhe një përfundim të fundit nga zgjedhjet amerikane. Amerikanët kanë treguar se edhe në kohë krizash të thella ekonomike, demokracia është në gjendje të prodhojë ndryshime rrënjësore, nëse kjo është dëshira e qytetarëve. Rezultati i këtij ndryshimi do të varet, padyshim, nga cilësia e udhëheqjes.

“Radio Europa e Lirë / Materiali është marrë me shkurtime nga Transitions OnLine & Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›