Buxheti, PS: Revolucioni fiskal qeveritar me nisma qesharake
Tiranë- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste e ka quajtur sot Projekt buxhetin e 6 muajve të fundit të kësaj qeverie, si një projetk buxhet demagogjik, me qëllim elektoral.
Në emër të PS-së, Shpëtim Idrizi ka deklartuar sot gjatë një konference për shtyp se vetëm gjatë një viti nga xhepat e shqiptarëve me rroga të ulëta janë marrë mbi 120 milionë dollarë. “Ky revolucion fiskal po vazhdon i sigurt e qesharak me tatimin mbi dadot dhe atyre që kanë vaska floriri. Kurse shqiptarët e skemës së kafshatës, duhet të shtojnë radhët në dyqanet ku ushqimet e mbijetesa merret me lista”- tha ai.
Ai ka shprehur sot keqardhjen që si dhe në këto 3 vjet dhe kësaj radhe, qeveria vjen me një Projekt buxhet të çoroditur dhe piramidal. Kjo qeveri, sipas tij, është totalisht e papërgjegjshme përballë shtrenjtimit të kostos së jetesës, përballë rritjes së papunësisë dhe përballë rritjes së varfërisë së shqiptarëve.
Projektbuxheti sipas Idrizit, tregon se kjo qeveri është e papërgjegjshme përballe përgjegjësisë së saj, për marrjen e masave për minimizimin e efekteve të mundshme të krizës globale financiare, e cila pritet të ketë ndikimet e veta dhe në vendin tonë.
Ai ka nënvizuar se në këtë Projekt buxhet mungojnë masat për përballimin e rritjes së çmimeve dhe krizës së fortë globale financiare, ndërkohë që rritja ekonomike, pritet të jetë nga 3.7-4 %, sipas FMN dhe mbi 6 % për qeverinë.
Sipas tij, deficiti buxhetor pritet të jetë edhe këtë vit mbi 50 miliard lekë. “Në këto 3 vjet, 2006, 2007, 2008, qeveria ka marrë borxh mbi 1.3 miliard dollarë. Dhe me mbi 550 milion $ që parashikohen të merren në vitin 2009. Ky borxh gjatë mandatit të kësaj qeverie shkon në afërsisht 2 miliard dollarë. E këto 2 miliard dollarë janë marrë në emër të shqiptarëve dhe do të paguhen nga ata e ky është një tjetër taksim indirekt që kjo qeveri po u bën atyre. Janë këto 2 miliard $ borxh me të cilat qeveria mundohet të rrit investimet e të na i paraqesë si të ardhura nga tatimet dhe doganat”- tha ai.
Për Idrizin, ritmi i rritjes së të ardhurave nga sistemi fiskal në krahasim me vitin 2008 është 0. Pra, 19.5 % të GDP ishin në vitin 2008 dhe po aq janë në vitin 2009.
I gjithë sistemi doganor e tatimor në fund të vitit 2008, sipas shifrave të buxhetit pritet të mbledhë 205 miliard lekë, pra rreth 2 miliard e 10 milion $. “Si është e mundur që në këto 3 vjet të jenë mbledhur 2 apo 3 miliard më shumë?”- thotë ai, duke iu refruar shifrave.
Ndërkohë deklaratat e bujshme për ulje taksash, Idrizi i ka cilësuar si mashtrimin më të madh që u bëhet shqiptarëve dhe i ka analizuar me shifra secilën për tyre.