E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gambling kontrollon lojërat e fatit, ndjekje penale për 60 subjekte

Tiranë- Operacioni i koduar “Gambling” ka bllokuar dhe dërguar për ndjekje penale 60 subjekte lojrash fati, që pas një kontrolli kanë rezultuar se ushtronin aktivitetin pa licencë.

Sipas burimeve të policisë së Tiranës, mësohet se operacioni është zhvilluar në shkallë vendi nga Drejtoria Kundër krimit Ekonomiko Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Njësisë së Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit.

“Operacioni kishte si qëllim ndërprerjen e aktiviteteve të paligjshme të lojrave të fatit, identifikimin dhe procedimin penalisht të personave që kryejnë këtë aktivitet si dhe bllokimin e ambjenteve dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe makinerive të lojrave të fatit.

Gjatë kryerjes së operacionit u kontrolluan 210 subjekte, të cilat zhvillonin aktivitetin e lojrave të fatit. 60 prej tyre rezultuan të pa licensensuara nga organet përkatëse për ushtrimin e këtij aktiviteti”- thanë burimet policore.

Këto subjekte janë proceduar penalisht në organin e Prokurorisë për kryerjen e kundravajtjes penale të “Organizimit të llotarive të palejuara” dhe “Vënies në dispozicion të lokaleve për lojra të palejuara”.

Gjithashtu, subjekteve të palicensuara ju bllokuan ambientet ku ato ushtronin aktivitetin e paligjshëm si dhe ju sekustruan në total 350 makineri kompjuterike për zhvillimin e lojrave të fatit. Operacioni do të vazhdojë dhe në ditët në vijim. Vetëm një ditë më parë, në shumë rrethe të vendit, Fier, Korçë, Durrës, e Gjirokastër u bllokuan qendra të tilla dhe u njoftua për procedim penal ndaj pronërëve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›