Memia: 100 mijë "legalizimet" e para
Kreu i ALUIZNI-t ka deklaruar se deri në fund të vitit parashikohen që të legalizohen 150 mijë ndërtime
Legalizimet, 100 mijë certifikata presin vetëm pagesënAgjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale premton se brenda këtij viti do të shpërndajë më shumë se 150 mijë certifikata pronësie për të gjithë ata qytetarë që kanë aplikuar për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Premtimi vjen nga kreu i kësaj agjencie, Shaban Memia, i cili gjatë një prononcimi mediatik ka bërë të ditur dhe objektivat afatshkurtëra dhe afatmesme që ka ALUIZNI. Sipas tij puna e kësaj agjencie do të fokusohet në dy drejtime, atë të kompensimit të pronarëve legjitimë dhe atë të plotësimit me certifikata pronësie të pronarëve të rinj.
Certifikatat
Memia bën të ditur se kjo agjenci së bashku me filialet e saja pritet që brenda javës së ardhshme të shpërndajë të paktën 10 mijë dëshmi pronësie, ndërkohë që deri në fund të muajit dhjetor kjo shifer mund të arrijë në mbi 150 mijë të tillë. Por natyrisht realizimi i këtij duket se do të varet plotësisht nga gadishmëria e individëve që kanë bërë aplikimet për legalizim për pagimin e tarifave që parashikon ligji për këtë proces. Në këtë aspekt Memia bën të qartë se tashmë çdo gjë varet nga vetë qytetarët, të cilët duhet të bëjnë pagesat pranë kësaj agjencie për t’i hapur më pas rrugën finalizimit të procesit. “Kemi të përfunduar gjithë procedurën dhe në një farë mënyre topi është në këmbët e qytetarit për të shlyer detyrimet financiare për 100 mijë pasuri minimumi. Deri në fund të vitit detyrimisht kjo shifër do të jetë shumë më e madhe 150 mijë deri 200 mijë,”- tha drejtori i ALUIZNI-t. Ndërkohë ai ka bërë të ditur se kjo agjenci deri më tani ka përpunuar më shumë se gjysma e dosjeve të dorëzuara dhe për secilën prej tyre janë bërë përllogaritjet e vlerave që duhet të paguajë secili në raport me tokën që ka zënë. “Gjatë kësaj periudhe ne kemi tërhequr 60 për qind të dosjeve nga 190 mijë dosje. Nga ana tjetër janë përpunuar 80 mijë dosje për 50 mijë pasuri të tjera. Për këto janë bërë të gjitha përllogaritjet për detyrimet financiale që kanë qytetarët dhe është dërguar fatura pranë qytetarit dhe ka filluar të implementohet gjithë skema financiare”, tha Memia, por duke mos bërë të ditur se çdo të ndodhë me certifikatat në rast se deri në fund të këtij viti qytetarët që kanë dorëzuar dosjet nuk kanë paguar detyrimin e përcaktuar.
ompensimi
Ndërkohë ai ka bërë të ditur se procesi i legalizimit do të ecë paralel edhe me procesin e kompensimit të pronarëve të vjetër të cilëve u është zënë toka. Lidhur me këtë proces Memia u shpreh se numri i pronarëve që do të demshpërblehen për tokën e zënë shkon deri tani në 120. Drejtori i ALUIZNI-t ka bërë të ditur se vetëm brenda një muaj janë grumbulluar më shumë se 120 milionë lekë të reja që do të përdoren për procesin e kompensimit të pronarëve të mëparshëm. Praktikisht deri më tani nga detyrimet që kanë qytetarët që kërkojnë të legalizojnë banesat e tyre janë mbledhur rreth 132 milionë lekë të reja të mbledhura për rreth një muaji,” -tha Memia. Ndërkohë që parashikohet edhe një rrugë tjetër për kompensimin e tyre, ajo e kompensimit fizik. Kompensimi i pronarëve të ligjshëm, toka e të cilëve është zaptuar nga ndërtimet pa leje sipas ligjit do të bëhet nga shteti duke u paguar me çmimin e tregut. Për Tiranën çmimi varion nga 14 deri në 100 mijë lekë për metër katror ose nga 120 euro në 900 euro. Por sipas shoqatës së ish-pronarëve ky kompensim nuk është i drejtë. Kjo shoqatë kërkon që pronarët e ligjshëm të mos kompensohen me toka në territoret e tjera, por duan t'u kthehet prona e tyre. Njëkohësisht shoqata kundërshton edhe kompensimin me çmimin e tregut, pasi sipas saj është pronari ai që vendos çmimin për pronën e vet dhe jo qeveria. Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve dhe vështirësisë së procesit të legalizimit ALUIZNI premton, se procesin do ta përfundojë në vitin e ardhshëm.-------------------------------------------------"Nga 900 dosjet e përgatitura, 400 prej tyre janë verifikuar në zonat përkatëse kadastrale”
Kavajë, gati legalizimi i 400 dosjeve
KAVAJË- Të paktën 3000 objekte të ndërtuara pa leje janë kualifikuar deri tani për legalizim në rrethin e Kavajës, proces i cili ka hyrë në fazën e fundit të tij. "Deri tani janë kualifikuar për legalizim mbi 3000 objekte të ndërtuara pa leje, ndërkohë që numri i përgjithshëm i tyre në shkallë nënprefekture arrin në 9742", theksoi përgjegjësi i Agjencisë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Engjëll Murrizi. Sipas tij, punonjësit e zyrës së legalizimeve kanë përfunduar skicat fushore, gen-planin, planimetrinë dhe dixhitalizimin për 900 objekte në terren. "Nga 900 dosjet e përgatitura, 400 prej tyre janë verifikuar në zonat përkatëse kadastrale dhe qytetarët kanë nisur pagesat e tarifave përkatëse", nënvizoi Murrizi. Sipas të dhënave të kësaj zyre, vetëm në territorin e bashkisë së Kavajës janë vetëdeklaruar 3700 objekte pa leje. "Ndërsa numrin më të madh të ndërtimeve të këtij lloji e kanë komuna e Golemit, Synejit dhe bashkia e Rrogozhinës me mbi 1000 ndërtime secila", përfundoi Murrizi.