E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e skandalit AEY

Ka nisur dje në media publikimi i plotë të dosjes hetimore që ka përgatitur Kongresi Amerikan për skandalin AEY. Firma e Efraim Diverolit, djalit të “artë” të milionave të armëve ka një lidhje specifike me Shqipërinë, ku ai porositi të blejë miliona fishekë të destinuar për në Afganistan, por që në fakt ishin tepër të vjetër dhe prodhim kinez, i papranueshëm për standardet ushtarake dhe mbi të gjtiha ligjore amerikane. Edhe në Tiranë, për pjesën që i takon vektorit shqiptar të skandalit, po hetohet kjo çështje, por gjithçka ruhet nën siglën e sekretit hetimor (Shpesh i përdorur për të mbuluar dhe fletë të bardha letre...)

Ushtarakë të vjetër shqiptarë tregojnë ende me pëshpërima – ruajnë sekretin e vjetër shtetëror – se Shqipëria e Enver Hoxhës ka dërguar ilegalisht në Afganistan gjatë konfliktit 10-vjeçar me ish-BS, ngarkesa të tëra me armatime. Kryesisht kallashnikovë dhe municione. Një gjë e tillë ka ndodhur deri në vitin 1988. Armët janë afruar falas. Për një koincidencë të fatit, 20 vjet më pas dhe plot tetë muaj nga shpërthimi katastrofik në Gërdec, në periferi të Tiranës, ku u vranë dhe u plagosën mbi 300 qytetarë shqiptarë, sërish Tirana dhe Kabuli kanë një tjetër lidhje, sërish me armët. Por që shiteshin edhe kur mund të dhuroheshin. Shiteshin nëpëmjet një amerikani 22-vjeçar dhe një ndërmjetësi misterioz nga Zvicra.

Bëhet fjalë për tregtinë e municioneve që Ministria shqiptare e Mbrojtjes i shiti një kontraktori të Pentagonit Efraim Diveroli. Ato municione, pronë e shtetit shqiptar, por prodhuar në Kinë duke nisur që nga viti 1962, ishin të destinuara për forcat afgane të sigurisë. Ligji amerikan e ndalon importin e armatimit nga Kina. Duhej të ndodhte tragjedia e Gërdecit që në Shqipëri të mësohej dhe një detaj tjetër misterioz: 1000 copë fishekë shiteshin për 42 dollarë, ndërsa e njëjta sasi nga Republika Çeka apo nga Hungaria, shitej respektivisht me 19 dhe 21 dollarë.

Në rastin shqiptar kishte dhe një kulm tjetër në trekëndëshin shitës-blerës, ky ishte Henry Tomei, një zviceran me kompani aktive në Bosnje Hercegovinë dhe në Qipro, i cili merrte një përqindje, nesë mund të quhet e tillë, për çdo transaksion. Në Shqipëri janë formuluar akuza politike se paratë e përfituara nga Tomei riktheheshin në mënyra të ndryshme në formë “bakshishi” për zyrtarë dhe qytetarë të tjerë shqiptarë të implikuar në këtë histori milionere.

Denoncimi i kësaj historie u bë nga Kosta Trebicka, biznesmeni shqiptar i nënkontraktuar nga AEY për ripaketimin e municioneve. Zoti Trebicka vdiq në një aksident automobilistik në 12 shtatot në Juglindje të vendit, në një fshat të Korçës.

Revista “Mapo” po boton pa koment faktet hetimore që Kongresi Amerikan ka përpiluar për këtë çështje. Dokumenti prej 25 faqesh mban datën 23 qershor 2008 dhe një përmbledhje e tij e shkurtuar, është botuar që në datën 28 qershor 2008.

Në dosje përmendet fakti që Shqipëria që në Dhjetor 2007, ka afruar për forcat afgane të sigurisë dërgimin falas të municionit. Kjo ofertë është bërë ndaj Gjeneralit David Petraeus dhe Ambasadorit Ryan Crocker.

E njëjta ofertë është bërë nga kryeministri Berisha në një deklarim të tijin publik në Kuvend, kur ai pranoi se i kishte telefonuar kryeministrit afgan Karzai duke i premtuar armatim dhe municion falas.

Që prej 15 marsit, në kuadër të hetimit për tragjedinë e Gërdecit, grupi hetimor i ngritur në Prokurorinë e Përgjithshme, po heton edhe për trafikun e mundshëm të municioneve nga Shqipëria. Janë disa histori paralele që nuk nisin në Gërdec, por që i bashkojnë emrat e të njëjtëve protagonistë. Siç shprehej dhe vetë Diveroli në bisedën e tij telefonike me Kosta Trebickën, tashmë “gjithçka ka dalë nga kontrolli...”.

Në fakt, ka një kontroll të fortë dhe nga përtej oqeanit. Në SHBA, Diveroli tashmëështë nën dhjetëra akuza penale. Se çfarë po ndodh në Shqipëri, nuk është fort e qartë. Publikimi i dosjes hetimore amerikane, lejon lexuesin që të heqë vetë, sipas dëshirës dhe mundësisë, paralelet krahasuese shqiptaro-amerikane.

*Autori është gazetar i revistës “MAPO” dhe një nga gazetarët e paditur nga Prokuroria së bashku me gazetarin e “Shekullit” Flamur Vezaj, për nxjerrje të sekretit, në raportimet dhe analizat e tyre për Gërdecin. Artikulli i mësipërm, paraprin botimin e pjesës së parë në revistë, të dosjes së plotë amerikane për fishekët e AEY.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›