E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të kemi kandidatë në zgjedhjet lokale

MEGA në Gjirokastër. Kryetari i partisë, Kristo Koço, flet për platformën elektorale

Partia më e re përfaqësuese e minoritetit etnik grek në jetën politike shqiptare, MEGA, ka prezantuar dje programin dhe statutin e saj politik për elektoratin në qytetin e Gjirokastrës. Në një takim të zhvilluar në mjediset e hapura të një prej hoteleve të këtij qyteti, përveç anëtarëve të kësaj force politike nga zonat ku banon minoriteti grek në Jug të vendit, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të jetës politike në Greqi. Kryetari i partisë, Kristo Koço, ka pohuar se MEGA po shikon mundësinë që në zgjedhjet e afërta lokale të konkurrojë e vetme me kandidatët e saj. “Partia MEGA ka krijuar dhe shtrirë degët e saj në të gjitha zonat ku jeton minoriteti grek dhe duke synuar që të shndërrohet në një forcë politike serioze, të besueshme dhe të suksesshme me programin politik dhe lidershipin e saj, ajo tashmë është e aftë që të konkurrojë me kandidatët e saj në zgjedhjet lokale”, tha lideri i përkohshëm i kësaj partie, Kristo Koço. Lidhur me pozicionimin politik të saj, në raportet pozitë- opozitë dhe me koalicionet e mundshme në zgjedhjet vendore, ai nënvizoi se MEGA është e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë spektrin politik shqiptar, në sfidat e ardhshme elektorale. Partia e Minoritetit Etnik Grek për të Ardhmen është partia më e re në jetën politike shqiptare, ka alternativat e programit dhe statutin e saj politik, të cilat kanë gjetur mbështetje të plotë tek elektorati gjirokastrit. Ndonëse disa herë nga liderët e kësaj partie është pohuar se MEGA po shikon mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme lokale ajo të konkurrojë e vetme me kandidatët e vet, përsëri është lënë e hapur mundësia e bashkëpunimit me PD dhe PS, madje edhe me vetë kundërshtaren direkte në minoritet, me PBDNJ.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›