E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Plan veprimi për njohjen e Kosovës

Harxhi: Optimistë edhe për reagime nga Greqia

Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, Shqipëria bën të njohur një plan veprimi për zgjerimin e njohjeve të reja ndërkombëtare për të. Në një konferencë për shtyp dje, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, pasi përshëndeti deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, znj. Ashton, e cila në emër të BE-së, ka mirëpritur vendimin e GJND-së, bëri të ditur angazhimin e Shqipërisë në zbatimin praktik të tij. “...ne kemi një plan të qartë veprimi, në drejtim të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përmes shtimit të njohjeve të reja, përmes aderimit në institucione ndërkombëtare financiare, apo dhe të tjera. Ashtu sikurse është dhe rasti i BERZH-it dhe për përfshirjen e saj në të gjitha nismat dhe forumet rajonale”, deklaroi Meta. Brenda këtij angazhimi, që mbetet parësor për Tiranën zyrtare, duket se do të jenë edhe pesë vendet e Bashkimit Europian që ende nuk e kanë njohur shtetin e ri shqiptar. Në këtë kuadër, numri dy i Ministrisë së Jashtme, Edit Harxhi, deklaroi dje për “Shqip” se “jemi optimistë se një lëvizje pozitive do të ketë edhe nga këto vende”. Ajo ka nënvizuar se ky zhvillim do të ketë vlerësime të reja, edhe në vende si Greqia dhe Spanja, nga të cilat nuk kanë munguar sinjalet e para mediatike. “Edhe në drejtim të Greqisë do të ketë përpjekje nga ana jonë. Gjithsesi dua të kujtoj se sot, mediat ndërkombëtare, kanë dhënë një sinjal për këtë”, u shpreh Harxhi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›