E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Pretendojmë diçka në eliminatoret e Euro 2012

Trajneri kroat analizon grupin D dhe shpreh ambiciet e kuqezinjve

Trajneri i Kombëtares kuqezi, kroati Josip Kuzhe, ka komentuar sërish në median ndërkombëtare grupin D eliminator të Euro 2012, ku Shqipëria bën pjesë së bashku me Francën, Rumaninë, Bosnjë-Hercegovinën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun. Ndërkohë ai mendon se skuadra e tij në këtë kompeticion, nuk do të ngopet vetëm me faktin se mori pjesë, por pretendon të bëjë diçka, pse jo të jetë një surprizë e këtij grupi. Tekniku i përfaqësueses sonë, shumë i njohur në opinionin sportiv të vendlindjes së tij, si një ndër trajnerët më të mirë të shkollës kroate të trajnimit, përbën thuajse gjithnjë lajme për mediat vendase. Në një prononcim për të përditshmen kroate, “Jutarnie Listin”, numri një i stolit të shqiptarëve theksoi se grupi D nuk është i lehtë, por ai beson se ekipi i tij do t’jua vështirësojë jetën kundërshtarëve. “Franca do të jetë edhe kundërshtari më i frikshëm për ne në këtë grup eliminator, analizon Kuzhe. Transalpinët kanë ndryshuar trajnerin pas Kupës së Botës dhe do të kërkojnë rikthimin në arenën ndërkombëtare. Por megjithatë, më duhet te them se çdokush nga ekipet e tjera mund të luftojë për fitore, me përjashtim të Luksemburgut. Ndaj besoj se në fushën tonë do ta ketë të vështirë cilido kundërshtar”. Më pas, drejtuesi kroat i Shqipërisë ka folur me nota pozitive për futbollin shqiptar në përgjithësi dhe për ekipin që ai ka në dispozicion në veçanti. “Shqipëria është skuadër e një vendi të vogël, por gjithsesi po bën hapa përpara për sa i përket lojës që bën. Aktualisht në futbollin vendas mbizotëron një klimë e jashtëzakonshme në lidhje me këtë sport. Edhe unë tashmë jam i përfshirë në këtë situatë pozitive, e cila i ka bazat për ndërtimin e një ekipi, të denjë për të konkurruar në eliminatoret e Euro 2012. Shpresoj që kjo klimë të ndikojë që Shqipëria të bëjë diçka serioze në kualifikuese, megjithatë nuk jemi nën presionin për të kapur vendin e parë apo të dytë”, u shpreh trajneri Kuzhe, i cili e mori detyrën pas largimit të holandezit Ari Han. Pretendimi i Shqipërisë për të bërë diçka serioze në këtë Europian është edhe një ambicie e vetë teknikut kroat. “Nëse pretendon se je trajner i mirë, atëherë duhet patjetër të bësh diçka. Të krijosh një ekip të fuqishëm, nuk mjafton vetëm të kesh marrëdhënie të mira me lojtarët, por të garantosh rezultate të mira. Këtë ia them vetes përditë”, shprehet tekniku i Kombëtares. Shqipëria i nis eliminatoret e Kampionatit Europian 2012 me ndeshjen kundër Rumanisë në Bukuresht, për të vazhduar me Luksemburgun në Tiranë e më pas Bosnjën. Në grupin tonë janë edhe Franca e Bjellorusia. Kuqezinjtë, më 11 gusht, do të luajnë një ndeshje miqësore ndaj Uzbekistanit, që do të jetë edhe testi i fundit përpara fillimit të Eliminatoreve të Kampionatit Europian. Takimi do të luhet në Tiranë. Trajneri dhe stafi i tij do të kenë mundësinë që të kryejnë kolaudimet e fundit, përpara se ekipi të zhvillojë takimet e para eliminatore më datat 3 dhe 7 shtator. Përpara këtij takimi, Shqipëria ka zhvilluar edhe tri miqësore gjatë këtij viti, të tria të fituara - ndaj Irlandës (1-0), Malit të Zi (0-1) dhe Andorrës (1-0).

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›