E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të kthehem në Angli

Jose Mourinho ka konfirmuar se në një të ardhme jo shumë të largët do të kthehet në Premierligë. Trajneri portugez ndihet i lumtur në Real Madrid, por thotë se zemra i rrah për Anglinë, ku e kaloi periudhën më të mirë në karrierë. ‘Special One’ nuk e ka harruar as përvojën italiane, ku thotë se është zhvilluar shumë si trajner. Nga Express më 24 mars 2011 në ora 11:05

Jose Mourinho e ka arritur maksimumin e karrierës së tij, duke u emëruar trajner i Realit të Madridit, mirëpo zemra e trajnerit portugez rrah ende për kampionatin anglez, Premierligë.

Ish trajneri i Portos, i Chelseas e i Interit e sheh veten në të ardhmen në Angli, ku kaloi një periudhë të suksesshme me ekipin londinez. Mediet britanike shkruajnë se ‘Special One’, kur ta përfundojë eksperiencën në Madrid, mund të kthehet pikërisht në Chelsea ose mund të bëhet trajner i njërit prej dy klubeve nga Manchesteri.

“Më mungon Anglia dhe puna ime e ardhshme do të jetë atje. Në Angli e kam kaluar periudhën më të bukur profesionale dhe jam i bindur se edhe anglezët më duan sërish atje”, theksoi Mourinho për tabloidin britanik The Sun.

- “Periudha ime në Chelsea ishte e jashtëzakonshme si menaxher dhe si njeri familjar. Familja ime dhe unë e shijuam pa masë atë përvojë. Krijuam miq të shumtë atje. Ne ende e mbajmë këtë miqësi, ne sërish kthehemi atje”, shtoi ai.

Edhe pse fitoi trofe të shumtë në karrierë, ‘Mou’ thotë se do të dëshironte që t’i përsëriste disa prej sukseseve. Ai planifikon të bisedojë me menaxherin e tij, në mënyrë që së bashku ta gjejnë një projekt të ri për karrierën e tij.

“Kam kontratë me Real Madridin edhe tri vjet. Ky është klubi më i madh në botë, por gjithashtu më i vështiri në botë për të punuar. Ata erdhën tek unë për të më kërkuar për herë të tretë dhe unë nuk mund t’u thosha JO në herën e tretë. Unë dëshiroj të jem i lumtur në punën time, dëshiroj ta shijoj futbollin”, vazhdoi ai.

Mourinho e konsideron mjaft të rëndësishme edhe eksperiencën e tij në Itali, ku thotë se është zhvilluar shumë si trajner.

“Dëshiroja ta sfidoja veten duke u angazhuar në mënyrë profesionale në kampionatin më të vështirë në nivelin taktik. Në Serie A jam pjekur mjaft, por Italia nuk është Angli. Njerëzit nga Italia, Spanja e Portugalia më pyesin pse e dua Anglinë aq shumë, e unë u përgjigjem: më pëlqen, kaq”, tha në fund Mourinho.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›