Luajnë në mes vete
Anulimi i ndeshjes miqësore me Bursasporin nuk i ka prishur përfundimisht planet e përfaqësueses së Kosovës. Në fakt, kjo e fundit megjithatë do të mblidhet të enjten pasdite.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do ta organizojë një ndeshje të përfaqësueses së Kosovës, e cila me gjasë do të ndahet në dy pjesë, duke ia shtuar kësaj edhe disa futbollistë nga Superliga.
“Ende nuk i kemi humbur të gjitha shpresat për të luajtur me Bursasporin. Por, si alternativë, FFK’ja ka zhvillimin e një ndeshjeje ku përfaqësuesja do të ndahej në dy ekipe. Nga jashtë do të vijnë 14 futbollistë dhe atyre do t’iu shtohen edhe disa lojtarë nga Superliga, për t’i kompletuar dy ekipe”, theksoi zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha.
Përzgjedhësi Albert Bunjaku planifikon t’i grumbullojë futbollistët sa më shpejt që është e mundur, për të stërvitur me ta dy ditë, para ndeshjes miqësore, e cila pritet të zhvillohet të dielën në mesditë, në stadiumin e qytetit në Prishtinë.