E Shtunë, 31 Tetor 2026

FFK-ja e çon Prishtinën në Amerikë

Nga Valon Konushevci më 24 mars 2011 në ora 11:08

Më 28 dhe 29 maj, në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), klubi i atjeshëm shqiptar, Albanian Stars do ta organizojë një turne të futbollit, ku si mysafir special është ftuar edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Lajmin e ka bërë të ditur të mërkurën Salihu për Express. Sipas tij, me propozimin e Vokrrit, Albanian Stars ka vendosur që në këtë turne ta ftojë edhe klubin e famshëm kosovar, FC Prishtina.

“Ka qenë dëshirë e Vokrrit që ta futë edhe Prishtinën në orarin e garave të atij turneu. Vokrri i ka vënë në kontakt të dyja klubet. Ndërsa tani i mbetet Prishtinës të vendosë për të shkuar apo jo. Prishtinës i mbetet vetëm t’i kryejë shpenzimet e udhëtimit”, deklaroi Salihu për Express. “Përpos pjesëmarrjes në turne, Vokrri e ka lutur Albanian Stars që t’ia aranzhojë edhe një miqësore tjetër Prishtinës me ndonjë klub amerikan”, shtoi ai.

Në anën tjetër, edhe Prishtina e ka konfirmuar marrjen e ftesës për të garuar në këtë turne, në të cilin bardhekaltrit thonë se do të mundohen ta përfaqësojnë sa më mirë futbollin kosovar.

“Ne si klub e falënderojmë FFK-në për iniciativën e saj që Prishtina të marrë pjesë në atë turne. Në Amerikë skuadra do të mundohet që ta prezantojë futbollin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme. Iniciativat e tilla janë të mirëseardhura për klubin tonë dhe i çmojmë ato”, tha për Express nënkryetari i klubit bardh e kaltër, Afrim Muçiqi.

Albanian Stars në vitin 2009 pat zbarkuar në Kosovë me ftesë të FFK-së për pjesëmarrje në turneun tradicional‘Adem Jashari’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›