E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon me të vjetrën

Federata e Futbollit e Kosovës nuk do t’i marrë fort parasysh propozimet e krerëve të klubeve, të cilët i sugjerojnë shtëpisë së futbollit kosovar ta ndryshojë strategjinë rreth organizimit të ndeshjeve miqësore. Sekretari Eroll Salihu thotë se, duke i organizuar miqësore përfaqësueses, po i bëhet presion i madh FIFA-s e UEFA-s për ta përshpejtuar procesin e pranimit të Kosovës. Nga Valon Konushevci më 24 mars 2011 në ora 11:13

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do të vazhdojë të punojë me strategji të njëjtë rreth organizimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare.

Udhëheqësit e futbollit kosovar këmbëngulin se gjithë energjinë e tyre, në këtë aspekt, do ta shpenzojnë për t’i organizuar miqësore përfaqësueses së Kosovës, ndonëse kësaj të fundit brenda dy muajve i dështuan dy ndeshje të tilla të paralajmëruara – ajo ndaj Dinamos dhe së fundmi ndaj Bursasporit.

Për këtë arsye, krerët e klubeve kosovare të martën kanë thënë se shtëpia e futbollit kosovar duhet ta ndryshojë këtë strategji. Sipas tyre, FFK-ja nuk do të dështonte në tentativat e saj për t’iu organizuar miqësore klubeve, siç po i ndodh me përfaqësuesen e Kosovës.

Në këtë mënyrë, sipas tyre, do të shuhej etja e tifozerisë kosovare për të shikuar ndeshje ndërkombëtare dhe se lojtarët e klubeve kosovare – të cilat vazhdojnë të mbesin të izoluara nga garat evropiane – do të përfitonin përvojë, të cilën më vonë do ta shfrytëzonin në fanellën e përfaqësueses.

Por, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, shpjegon arsyen pse ai me kolegët e tij vazhdimisht shpenzojnë shumë energji për t’i organizuar miqësore vetëm reprezentacionit kosovar – kryesisht me klube të huaja – përkundër vështirësive të mëdha.

“Këtë strategji e ushtrojmë për shumë arsye në interes të futbollit tonë. Por, arsyeja kryesore është se, duke i organizuar miqësore përfaqësueses, ne po duam t’i tregojmë botës se Kosova është shtet dhe e ka një përfaqësuese, e cila po e pret FIFA-n e UEFA-n që ta pranojnë me të drejta të plota. Kështu mund t’i bëjmë presion FIFA-s që ta përshpejtojë procesin e pranimit tonë”, deklaroi Salihu për Express.

Ai theksoi se FFK-ja është e zonja të organizojë shumë ndeshje, por konsideron se më të favorshmet janë ato me reprezentacion. “Kosovën nuk e përfaqëson njëjtë Prishtina, Trepça apo ndonjë klub tjetër, siç e përfaqëson përfaqësuesja e vet me ngjyrat shtetërore”, shtoi ai.

Salihu kujtoi se kjo nuk do të thotë se shtëpia e futbollit kosovar i ka lënë pas dore klubet e saj për të organizuar miqësore ndërkombëtare.

“Këtu puna qëndron më ndryshe sepse klubet janë në krizë financiare. Por, ne si Federatë gjithnjë jemi munduar t’i ndihmojmë klubet në këtë drejtim. Ju kujtohet rasti me Trepçën ’89 dhe para dy ditësh kur kryetari Fadil Vokrri nëpërmjet lidhjeve të veta e ka vënë në kontakt Prishtinën me një klub amerikan për ta zhvilluar ndonjë ndeshje miqësore. Ne me gjithë kapacitetin tonë përpiqemi t’i ndihmojmë klubet në çdo pikëpamje”, vazhdoi Salihu.

Ai iu kundërpërgjigj nënkryetarit të Prishtinës, Afrim Muçiqi, i cili të martën kontestoi aftësinë e udhëheqësve të futbollit kosovar për t’i organizuar miqësore përfaqësueses.

“Ajo çfarë thotë Muçiqi, kinse kryetari Vokrri ndeshjet i organizon me telefon e duke pirë kafe, nuk qëndron dhe këto trillime nuk kanë bazë. Dua të kujtoj se Vokrri në mënyrë profesionale i aranzhon miqësoret. Ndeshjen ndaj Bursasporit, Vokrri e ka aranzhuar në Stamboll, sikurse ndeshjet tjera që i ka aranzhuar në Zurich, Xamax, Suedi, etj”, pohoi ai.

Krejt në fund, Salihu siguroi kosovarët se FFK-ja po e bën punën më të mirë të mundshme për futbollin kosovar, i cili është politizuar shumë nga ndërkombëtarët. Ai theksoi se shtëpia e futbollit kosovar do të vazhdojë t’i organizojë miqësore ndërkombëtare përfaqësueses së Kosovës dhe paralajmëroi një ofanzivë edhe më të madhe drejt anëtarësimit në FIFA e UEFA.

Salihu pohoi se FFK-ja e kupton tifozerinë kosovare, e cila është e etur për ta parë përfaqësuesen dhe klubet kosovare duke zhvilluar ndeshje ndërkombëtare, por thotë se akoma më të etur janë vetë drejtuesit e futbollit tonë. Por, ai është i bindur se shumë shpejt do të vijnë ditët e mira për futbollin kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›