Shqipëria kërkon fitore

Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për ndeshjen kualifikuese për Euro 2012 ndaj Bjellorusisë. Kuqezinjtë e konsiderojnë këtë ndeshje si njërën prej më të rëndësishmeve në këtë fushatë.
Për këtë, ata do të mobilizohen për të shënuar fitore, pas paraqitjes së dobët në dy ndeshjet e fundit miqësore me Maqedoninë e Slloveninë. Mesfushori Klodian Duro kërkon mobilizim të të gjithëve, për të arritur deri tek rezultati pozitiv.
“Normalisht duhet ta arrijmë më të mirën nga kjo përballje nisur dhe nga fakti që për momentin është ndeshja më vendimtare. Uroj dhe shpresoj që deri ditën e shtunë Kombëtarja të jetë gati për fushën e lojës, sepse barometri më i mirë është fusha dhe të gjitha këto që ne diskutojmë nuk vlejnë në 90 minutëshin e ndeshjes”, theksoi Duro.
Edhe mesfushori Ervin Bulku mendon se Shqipëria mund ta fitojë ndeshjen, nëse luan si skuadër. “Dihet që Bjellorusia është një skuadër e fortë, kundërshtar direkt. Zhvilluam atje një ndeshje të dobët. Kemi nxjerrë mësime të mira nga ndeshja e parë. Ka rëndësi të mos përsërisim gabimet e ndeshjes së parë, pra t’i korrigjojmë defektet dhe ta bëjmë të mundur fitoren. Mendojmë që është shumë e rëndësishme për ne ta fitojmë patjetër këtë ndeshje”, deklaroi Bulku.
Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Bjellorusisë, në kuadër të Grupit D të eliminatoreve për Euro 2012, do të zhvillohet të shtunën mbrëma, më 26 mars në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë.