“Progres-Raporti i KE, arritje madhore për vendin, zgjedhjet marrin vlerësim unik”
Kryeministri Berisha fokuson punën e qeverisë te reformat
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se programi i qeverisë do të ketë si kryefjalë reformat dhe vetëm reformat. Duke iu referuar Progres-Raportit të Shqipërisë për vitin 2009, publikuar një javë më parë nga KE, kreu i qeverisë Berisha tha se përbën një dokument të shkëlqyer pune, për qeverinë shqiptare. Në mbledhjen e radhës të qeverisë, kryeministri e cilësoi Progres Raportin një dokument bazë për të gjitha institucionet e vendit për reformat që duhet të ndërmarrin.
“Raporti dëshmon se në Shqipëri, demokracia funksionon dhe vlerësimi që i bëhet procesit zgjedhor në vendin tonë është unik, i pari i këtij lloji, në dallim nga të gjitha raportet e tjera dhe përbën një arritje të madhe për çdo qytetar shqiptar. Nuk mund të ndodhë kurrë në një vend demokratik që politika të mund të thyejë vendimet gjyqësore”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit e konsideroi Progres Raportin 2009 si raportin më të mirë, të lëshuar për Shqipërinë, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në vlerësimet që Raporti i bën procesit të fundit zgjedhor. Lidhur me këtë, kreu i ekzekutivit vuri në dukje se në raportin e KE-së, bazuar në raportin e watchdog-ut ndërkombëtar, OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës, rezulton se zgjedhjet në Shqipëri përmbushën zotimet kryesore të OSBE-së, kushti më kryesor ky për një demokraci funksionuese.
“Shqipëria del nga lista e vendeve ku renditej më parë me zgjedhje problematike, me zgjedhje që përmbushnin vetën pjesërisht standardet ose me zgjedhje që nuk përmbushnin standarde. Këtu një kontribut të madh dhanë të gjitha qytetarët shqiptarë, dhanë miqtë e Shqipërisë kudo në botë, dhanë forcat politike, dha opozita shqiptare që sot bojkoton parlamentin, por që mori pjesë në zgjedhje, përzgjodhi sistemin zgjedhor dhe pati zërin kryesor në Kodin aktual Zgjedhor”, deklaroi Berisha.
Nga ana tjetër, lidhur me luftën kundër korrupsionit, kryeministri Berisha deklaroi se
“Raporti fakton se në Shqipëri ka një vullnet politik për të luftuar korrupsionin”’
Kryeministri tha se është shumë e rëndësishme që në raport theksohet se Shqipëria vazhdon luftën kundër korrupsionit, si një prioritet kyç i partneritetit evropian.
Berisha kërkoi nga ministrat e kabinetit shqyrtimin e çdo procedure të veprimtarisë së qeverisë dhe institucioneve të saj, për ta nxjerrë jashtë korrupsionit, nëpërmjet reformave. “Cilido që të jetë çmimi i këtyre reformave në rast se ato parandalojnë korrupsionin, ju garantoj se janë të dobishme”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë u shpreh se procesi i dixhitalizmit do të ketë përparësi absolute për të bërë sa më transparente dhe për të minimizuar problemet që shfaqen në hipoteka apo në komisionin e kthimit të pronave.
Ndër të tjera, kryeministri theksoi se nëpërmjet masave sa më efikase do të synohet të zmbrapset sa më shumë presioni i korrupsionit në tatime, në dogana, në polici dhe në të gjitha institucionet e tjera.
Duke u ndalur te prokurimet elektronike, kryeministri u shpreh se Departamenti i antikorrupsionit do të shqyrtojë me imtësi të gjitha prokurimet e ofruara me çmimin më të ulët dhe shumica e tyre do ti dërgohet organit të prokurorisë për një vlerësim. “Departamenti i kontrollit ka marrë porosi të prerë që të rikontrollojë çdo ofertë të çmimeve të ulëta e cila hidhet poshtë dhe çdo gjë që do të rezultojë pa bazë solide ligjore do ti kalojë autoritetit të prokurorisë. Në këtë mënyrë, shmangen spekulimet dhe veprohet në dobi të interesit publik”, u shpreh kryeministri Berisha.