E Diel, 1 Nëntor 2026

"Do të përpiqemi ta mbajmë Shvajnin"

Pas Karl Hainc Ruminiges, që ishte shprehur i gatshëm të luftonte deri në fund për të mbajtur Bastian Shvajnshtajger te Bajerni i Mynihut, edhe Franc Bekenbauer ka konfirmuar se klubi do të bëjë maksimumin që mesfushori të mos largohet. Kontrata e lojtarit 24-vjeçar po përfundon dhe Reali i Madridit e Juventusi e shohin si përforcim të rëndësishëm për kontingjentin e tyre. "Bajerni duhet të bëjë gjithçka për ta mbajtur Shvajnin, ishin fjalët e ‘Kajzerit‘. Ai është ende shumë i ri, mund të luajë këtu edhe për disa vite të tjera, për t‘u larguar më pas në ndonjë klub jashtë Gjermanisë". E njëjta këmbëngulje nuk vlen edhe për Lukas Podolskin, që tashmë duket gjithmonë e më pranë largimit nga skuadra e Jurgen Klinsman. Rumenige saktësoi se nëse sulmuesi dëshiron të largohet, atëherë klubet e interesuara duhet të paguajnë 15 milionë euro. Drejtuesi i bavarezëve saktësoi se "Poldi" nuk i përshtatet lojës së Bajernit dhe për këtë arsye ai vazhdon të qëndrojë në stolin e rezervave. Këln, Mançester Siti dhe Roma interesohen për 23-vjeçarin, i cili u afrua dy vjet e gjysmë më parë për 10 milionë euro. Nëse "djaloshi i artë" i Bundesligës largohet, Bajerni do të vihet në lëvizje për të blerë Adrianon. Për të arritur te braziliani 26-vjeçar, mund të shfrytëzohen marrëdhëniet e mira të trajnerit Klinsman, me drejtuesit e klubit zikaltër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›