E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndal tensionit të lartë!

"Teddington" është sot një lagje londineze, mes Hampton Wick dhe Twickenham, e cila, në shekullin XVIII, ishte thjesht një periferi ku nuk jetonin më shumë se 700 banorë. Nuk kishte asnjë arsye për të hyrë në histori, nëse aty nuk do të kishte jetuar deri në fund të jetës famullitari Stefan Hales. Më shumë se sa pas njerëzve dhe shpirtrave, Hales ishte i pasionuar pas natyrës. Ai tregoi se si reflekset ndërmjetësoheshin përmes shtyllës kurrizore, studioi shumë sëmundje të veshkave dhe mënyrën se si mund të kuroheshin, shpiku ventilatorin, studioi distilimin e ujit. Por mbi të gjitha, në vitin 1773 publikoi "Haemastaticks", ku tregonte eksperimentet e tij për "forcën e gjakut", e duke shpjeguar fluksin dhe kapacitetin tij te venat e kafshëve. Por në vitin 1711 (sipas disa të tjerëve më 1727) kishte vendosur një tub xhami në një prej venave të qafës të tre kuajve dhe mati për herë të parë presionin e venës qendrore dhe pastaj kishte matur kapacitetin kardiak dhe në fund efektin e të nxehtit, të të ftohtit dhe ilaçeve të ndryshme mbi enët e gjakut. Hales ishte "babai" i studimeve për tensionin e gjakut. Por çfarë është në të vërtetë tensioni? Është konstant apo i ndryshueshëm sipas aktivitetit? Kur dhe përse është i lartë? Mund të jetë shenjë e sëmundjeve të tjera? Çfarë dëmesh mund të shkaktojë? Si mund ta parandalojmë dhe si mund ta mbajmë nën kontroll tensionin e lartë të gjakut pa përdorur ilaçe?

Hipertensioni shpesh nuk ka simptoma

"Kush është 30 vjeç dhe nuk e kujton se kur e ka matur tensionin për herë të fundit, mund të jetë një nga miliona evropianët që vuan nga hipertensioni", shkruan Garen Bevers, presidenti i "British Hypertension Society" dhe themelues i "Journal of Hypertension". Mjekët quajnë hipertension nivelet e larta të presionit arterior, një gjendje që për vite me radhë mund të mos ketë asnjë simptomë, por në të njëjtën kohë mund të dëmtojë shumë organe si zemra, veshkat, sytë, mushkëritë, trurin dhe enët e gjakut deri në shfaqjen e komplikacioneve të rënda si sëmundjet kardiake dhe iktuset. Simptomat më të zakonshme të tensionit të lartë të gjakut janë këto: dhembje koke, marrje mendsh, dobësi, gumëzhimë veshësh, djersë të ftohta. Për këtë arsye, sapo një shenjë e tillë ju shfaqet, mos nguroni asnjëherë të masni tensionin.

Kufiri i lejuar

Por, kur duhet ta kontrolloni? "Gjithçka lidhet me trashëgiminë. Nëse të dy prindërit vuajnë nga tensioni i lartë, është mirë që të nisësh ta masësh tensionin që nga mosha 20-vjeçare. Po ashtu, nëse në familje ka persona të tjerë që vuajnë nga kjo sëmundje, këshillohet që tensioni të matet çdo 2-3 muaj, duke nisur që nga të 40-at. Nëse zbuloni se edhe ju vuani nga hipertensioni, mateni dy herë në ditë, në mëngjes dhe darkë, për një javë rresht, para se të nisni një terapi, në mënyrë që të keni të qarta vlerat e tij. Përndryshe, nëse nuk e keni të trashëguar gjenetikisht, duhet matur dy herë në vit", shpjegon një profesor britanik. Presioni i gjakut matet me mmHG, që do të thotë milimetra në një shtyllë Mërkuri (Hg): Mërkuri është metali i lëngshëm që ngjitet në shtyllën e sfigmomanometrit, mjeti që mat tensionin, duke e bërë të dallueshme vlerën e presionit të gjakut. Zakonisht, si vlerë ideale e tensionit merret 120/80, ku 120, ose presioni sistolik, i korrespondon matjes së bërë kur zemra pompon gjakun në arterie, ndërsa 80 ose presioni diastolik, mat presionin që mbetet në vena kur zemra mbushet me gjak. Por kur mund të flasim për hipertension? "Tridhjetë vjet më parë, kufiri ishte 160/95, ndërsa sot nuk është më kështu, pasi vlera është ulur. Tensioni normal është 70-80 minimumi dhe 120-140 maksimumi. Te personat që vuajnë nga hipertensioni, zakonisht kjo vlerë është 90 me 140. Pastaj, gjithçka varet nga mosha".

Shpesh vlerat e tensionit ndikohen nga interesat

Norma e vlerave të hipertensionit shpesh influencohet edhe nga shumë interesa ekonomike. Në fakt, dy vjet më parë "New York Times" bëri me dije se "Merck", "Novartis" dhe "Sankyo", tri shoqëri farmaceutike shumëkombëshe, prodhuese të ilaçeve që luftonin tensionin e lartë të gjakut, kishin financuar me 75 mijë dollarë Tomas Giles, docent në Universitetin shtetëror të Nju Orlinsit, i cili kishte përcaktuar një kategori të re, të quajtur parahipertensioni, që ishte mes vlerave 120/80 dhe 139/89. Për më tepër, ato kishin shpenzuar edhe 700 mijë dollarë për të bërë promovimin e gjithë kësaj përmes konferencave dhe guidave që mjekët shpërndanin për pacientët. Si përfundim, sipas llogarive të "New Yort Times" këto guida të reja kishin shtuar me 59 milionë blerësit e ilaçeve kundër hipertensionit. Megjithatë, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja, kolesteroli i lartë, pijet alkoolike dhe glikemia e lartë e plotësojnë krejtësisht listën e "armiqve" të hipertensionit. Të trajtosh të ashtuquajturin parahipertension është njëlloj si të trajtosh një faktor rreziku si të ishte një sëmundje. Dhe nuk është gjithçka: konsumi i ilaçeve vetë, nuk mjafton për të kontrolluar tensionin e gjakut. Për këtë është e nevojshme të ndryshosh edhe stilin e jetesës. Vëllimi i gjakut në qarkullim rregullohet nga veshka që kontrollon sasinë e lëngjeve dhe kripërave të pranishme në organizëm. Nëse tensioni është i ulët, aktivizohet një mekanizëm që e nxit veshkën të mbajë ujë dhe natrium, për ta rivendosur në qarkullim. Në këtë mënyrë, vëllimi i gjakut nuk ulet dhe tensioni rritet. Nëse tensioni rritet shumë, është i domosdoshëm eliminimi i lëngjeve dhe kripërave për uljen e tij. Ndaj, të gjithë njerëzit që vuajnë nga hipertensioni, e kanë të detyruar të përdorin ushqime me pak kripë, maksimumi 5-6 gramë në ditë dhe të përdorin shumë fruta dhe perime. Më shumë se dy gota verë në vakt, jamballi dhe disa ilaçe (sprait për zhbllokimin e hundëve, antiinflamatorët, analgjezikët dhe kortizonikët) ndikojnë në rritjen e tensionit. Aktiviteti fizik ka funksion mbrojtës, sidomos për aparatin kardiovaskular, ku 30 minuta ecje me hap të shpejtë në natyrë janë të domosdoshme. Pastaj, nëse i keni bërë të gjitha hapat që përmendëm më sipër, mund t‘i drejtohemi ilaçeve. Por, problemi është se shumë pak njerëz e dinë se vuajnë nga ky "vrasës" i fshehtë. "Në 90 për qind të rasteve, shkaqet e hipertensionit janë të fshehta. Sot, janë në dispozicion të gjitha mjekimet për ta mbajtur nën kontroll, por shpesh ato kanë efekte anësore mbi pacientët. Në 100 pacientë me tension të lartë, 25 nuk e dinë që e kanë, 25 e dinë por nuk kurohen, 25 kurohen pak për shkak të efekteve anësore dhe 25 kurohen ashtu siç duhet. Pavarësisht progresit të terapive, këto 20 vitet e fundit kjo përqindje nuk ka ndryshuar", përfundon mjeku anglez.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›