E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali i Madridit, "ofensivë" për David Trezege

David Trezege ishte (madje shihet ende i tillë), si alternativa e dytë për përforcimin e sulmit të Realit të Madridit. Megjithatë, situata mund të ndryshojë dhe francezi të kalojë në vendin e parë të listës së shpenzimeve. Kampionët e Spanjës po përshpejtojnë ritmin për lojtarin e Juventusit dhe ajo që fillimisht dukej thjesht si një ide, tashmë është shndërruar në (gjysmë) bisede. Në fakt, deri më tani ka pasur vetëm një kontakt ndërmjet drejtuesve "merengues" dhe kolegëve të tyre bardhezi. Përpara se të bëjë një ofertë konkrete, Reali synon të mbyllë bisedimet me Krespon. Me Van Nistelroin, i cili do të qëndrojë jashtë fushave deri në fund të sezonit, trajnerit Shuster i nevojitet një tjetër sulmues, që prej janarit. Tevez duket i paarritshëm, ndërsa sot do të tentohet mbyllja e marrëveshjes me Krespon. Oferta mbetet e njëjtë: huazim gjashtëmujor, por kjo duket se nuk i pëlqen argjentinasit, që pretendon të paktën një vit e gjysmë kontratë. Nëse marrëveshja nuk arrihet, atëherë Ramon Kalderon do të hidhet në aksion për shërbimet e Trezege. Juventusi nuk mendon ta shesë francezin, por përpara një oferte prej 20 milionë eurosh italianët mund të ndryshojnë mendim. Sulmuesi i bardhezinjve duket i kompletuar, pas formës së mirë të Del Pieros dhe me Amaurin e Iakuintën. Për më tepër, paratë nga kjo marrëveshje mund të shërbejnë për afrimin e brazilianit të Verderit, Diego. Nuk duhet harruar as fakti se ky është shansi i fundit i juventinëve për të përfituar një shifër të konsiderueshme nga shitja e Trezege, që tashmë ka mbushur 31-vjeç. Tjetër objektiv i Realit është edhe 21-vjeçari i Lacios, Mauro Zarate. Bardhekaltërit do të blejnë edhe gjysmën tjetër të kartonit të sulmuesit nga Al Sad, me vlerë 15 milionë euro dhe nuk përjashtohet mundësia e shitjes së argjentinasit te madrilenët për 25 milionë euro.

Ndërkohë, Kalderon ka konfirmuar besimin për trajnerin Bernd Shuster, duke u shprehur se tashmë "mini-kriza" është hedhur pas. "Kam parë në media se Shusteri do të largohej dhe në vend të tij do të vinte Ançeloti. Gjithsesi (drejtori sportiv), Predrag Mijatoviç, nuk ka kontaktuar me asnjë trajner tjetër", tha njëshi i "merengues". "Kemi besim te trajneri ynë. Nëse do të kishim fituar me Vajadolidin, nuk do të ndodhte asnjë polemikë. Reali nuk është në krizë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›