E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka: Mançester Siti? Më pëlqen Premiershipi

Kaka nuk po përjeton momentin e tij më të mirë te Milani, por gjithsesi mbetet një lojtar i aftë që të ndryshojë ekuilibrin e lojës. Jo më kot 26-vjeçari ndiqet nga shumë klube, ku më i interesuar duket Mançester Siti. Së fundmi, braziliani Robinjo ka deklaruar se është i gatshëm t‘i urojë bashkëkombësit të tij mirëseardhjen në "Istlends". Numri 22 i Milanit i përgjigjet ftesës dhe sipas gazetës italiane "La Stampa" është shprehur: "Mendoj se Premiershipi është kampionati më i fortë në botë dhe më pëlqen shumë. Ndoshta, një ditë, vazhdoi fantazisti, nuk e di me saktësi se kur, do të më pëlqente të luaja në Angli". I pyetur rreth interesimit të madh nga sheikët e Sitit, Kaka pohoi se ka marrëdhënie të mira me disa futbollistë të kësaj skuadre: "Kam shumë miq që luajnë atje, e për këtë arsye ndjek disa nga ndeshjet e Sitit. Ndonjëherë flas për këtë klub me Elanon dhe Robinjon". Gjithsesi, pa u shqetësuar shumë për fjalët e lojtarit të tyre më të mirë, drejtuesit kuqezi kanë hedhur sytë nga merkato, pasi synojnë të përforcojnë mbrojtjen. Objektivi i Milanit është francezi i Romës, Mekses. Verdhekuqtë e kanë cilësuar gjithmonë të pashitshëm lojtarin dhe nëse Galiani&Co e dëshirojnë, atëherë shifra është e konsiderueshme. Vlera e kartonit dhe rroga e lojtarit mund t‘i kushtojnë Milanit 35-40 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›