Do të punojmë deri sa të kemi hapësirë

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli gjatë një tubimi që ka organizuar me të rinj Forumi Rinor i AKR-së, ka thënë se AKR-së nuk i intereson nëse PDK dhe AAK po zhvillojnë biseda mes tyre, për koalicion të mundshëm.
Sipas tij, AKR-ja do të jetë aty aq sa për ata do të ketë hapësirë pune. Nëse jo, sipas tij, do të vazhdojnë edhe në mënyra të tjera për veprojnë për të mirën e qytetarëve të Kosovës.
Duke folur për punën e AKR-së, ai ka thënë se në familjen e AKR-së fliten tri gjuhë dhe ato janë, sipas tij, gjuha e besimit, gjuha e familjes dhe gjuha e punës dhe se pikërisht për këtë, AKR-ja do të jenë aty ku janë qytetarët e Kosovës në kohën dhe momentin e caktuar.
“Kam marr kritika edhe prej rrjeteve sociale edhe nëpër takimet që kam pas prej anëtareve, prej anëtarësisë së AKR-së që kam munguar, që unë të rri më tepër në Kosovë t’i kthehem partisë, po unë kam dashtë ta bëj atë, shpirti im gjithmonë ka mbetur këtu me ju në Kosovë por unë është dashtë të udhëtojë dhe të punojë për vendin, të punojë për Kosovën. E dini mirë rezultati i sinqertë, rezultati i vërtetë kryhet në momentin e caktuar, ideja kthehet në veprim e ajo ide është e suksesshme vetëm nëse implementohet në momentin, dita e së cilës ka ardh”, ka thënë Pacolli.
I pyetur në lidhje me koalicionin e mundshëm mes PDK-së dhe AAK- së, se si do të reagoj AKR-ja, Pacolli ka thënë se nuk është duke u preokupuar më këtë çështje dhe se do të punojnë deri në momentin kur i lejohet të punojë.
“Nuk jemi duke u preokupuar me këtë punë. Në momentin kur ne na lejohet të punojmë duhet të jem aty. Na do të punojmë derisa të na lejohet të punojmë. Në momentin kur dikush mendon se ne duhet të shkojmë, nuk duhet të jem aty, ne vazhdojmë punën në mënyrë tjetër, për t’i kontribuar qytetarëve në mënyrë tjetër. Dhe mënyra për t’i kontribuar qytetarit të Kosovë ka shumë”, ka thënë Pacolli./Idneksonline/