VV në Pejë: Dialogu po afron veriun me Serbinë, e Serbinë me BE-në

Lëvizja Vetëvendosje! në tribunën e organizuar në Pejë, në kundërshtim të negociatave me Serbinë që po bëhen pa kushte dhe për çështje të brendshme të Kosovës kundërshtoi edhe një herë negociatat me Serbinë.
Para qindra pjesëmarrësve folën Kryetari i Qendrës së LVV-së në Pejë, Avdi Shkreli, kryetari i Grupit parlamentar të LVV-së, Visar Ymeri, si dhe Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti.
“Përveç takimeve Thaçi-Daçiq, tashmë është caktuar edhe një datë tjetër si pjesë e dialogut, kur do të takohet Jahjaga me Nikoliqin, pasardhësin dhe dorën e djathtë të Sheshelit. Ky takim do të ndodhë me 6 shkurt. Atifete Jahjaga është presidente që ka dalë nga zarfi dhe është vulosur në Kuvend. VETËVENDOSJE! ka qenë i vetmi subjekt që, përveç që nuk e ka votuar edhe e ka braktisur sallën e Kuvendit në atë kohë kur është zgjedhur Jahjaga presidente. Edhe ata deputetë që e kanë votuar, nuk mendoj se e votuan të jetë një presidente që e takon pasardhësin dhe bashkëpunëtorin e Sheshelit, dhe përmes këtij takimi ta paraqet Nikoliqin si person të mire”, konstatoi Visar Ymeri.
Ndërkaq, Albin Kurti, kritikoi Qeverinë e Kosovës që po ia mundëson Serbisë integrimin në BE, pa ia nxjerrë asnjë kusht.
“Këto bisedime janë nisur si nevojë e Serbisë drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. Përmes dialogut “teknik”, Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat, kurse përmes dialogut politik me Thaçin, Serbia ka për synim datën e nisjes së negociatave për integrim në BE. Kosova përmes këtij dialogu po bëhet gjithnjë e më pak funksionale, gjithnjë e më pak shtet normal, kurse veriu po i afrohet Serbisë gjithnjë e më shumë, e kjo e fundit gjithnjë e më shumë po i afrohet Brukselit”, ka theksuar Kurti.
Ai ndër të tjera numëroi edhe kushtet që duhet t’i nxjerrë Kosova karshi Serbisë, para çdo komunikimi apo takimi me ta.
Në pjesën e dytë të kësaj tribune fjala u kaloi qytetarëve të pranishëm, të cilët përmes pyetjeve dhe komenteve që i bën, shprehën pakënaqësinë dhe kundërshtimin e tyre për këto negociata që po e shkatërrojnë Kosovën edhe politikisht, edhe ekonomikisht./Indeksonline/