E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”

Autori i Lajmit: red.
Partia Demokratike nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për dekretet e Presidentit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, pohoi dje se mazhoranca do të respektojë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, sipas tij, vendimi i drejtë do të ishte që dy institucionet ta zgjidhnin me konsensus çështjen. “Ky është thelbi i Gjykatës Kushtetuese”, - tha Patozi. Ndërkohë që edhe deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, pohoi se vendimi i Gjykatës Kushtetutese interpreton në mënyrë përfundimtare këtë çështje. “Parlamenti ka afate që parashikojnë kohën kur ky institucion duhet të përgjigjet, por ka edhe një vendim të Kushtetueses për këtë çështje, që është shumë i rëndësishëm”, - tha ai. Sipas tij, fakti që Kuvendit i është dashur më shumë kohë për t iu përgjigjur dekretit të Presidentit nuk e bën atë të pavlefshëm, pasi Parlamenti është i interesuar të shqyrtojë arsyet politike dhe informacioni në këtë rast është më i rëndësishëm se afati i një dekreti të caktuar. Kuvendi, sipas Bumçit, ka nevojë të shqyrtojë kandidaturat, meritat e tyre dhe nëse janë ata personat që meritojnë të shkojnë në majën e piramidës së gjyqësorit shqiptar dhe kjo është shumë më e rëndësishme se tejkalimi i një afati. “Kjo nuk krijon asnjë lloj konfrontimi me Presidentin, i cili konform Kushtetutës ka çuar propozimet e tij në Kuvend, ndërkohë që ky i fundit do të plotësojë detyrën e tij”, - tha ai. Sipas Bumçit, ajo që Parlamenti ka bërë deri më sot, fatkeqësisht, ka qenë vetëm një shqyrtim formal i kandidaturave, ku personi që propozohej duhet të kishte një karrierë juristi prej 15 vjetësh. “Kjo është tërësisht e papranueshme kur ne kemi vendosur standarde”, - cilësoi deputeti i PD-së.

Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›