E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, plotësoni në kohë kriteret e kërkuara

Autori i Lajmit: red.
“Bashkimi Evropian po shpërndan një sinjal të qartë se pret të ecë përpara me Shqipërinë, veçanërisht në një fushë, e cila prek shumë kontaktet mes njerëzve dhe që ka një impakt të drejtpërdrejtë mbi popullatën”

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Michael Leigh, i dorëzoi në Bruksel ministrit të Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Procesi i dialogut, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet e Ballkanit, sipas burimeve të Bashkimit Evropian, është projektuar të zgjasë jo më shumë se një vit e gjysmë. Gjithsesi, për këtë Shqipëria duhet të plotësojë në kohë të gjithë detyrat që renditen në këtë dokument. Për vendin tonë, sipas po të njëjtave burime të Bashkimit Evropian, detyrat kryesore janë ngritja e shpejtë, por mbi të gjitha cilësore e një regjistri civil kombëtar, si edhe prodhimi i kartave të identitetit dhe i pasaportave biometrike sipas të gjitha standardeve evropiane. “Bashkimi Evropian po shpërndan një sinjal të qartë se pret të ecë përpara me Shqipërinë, veçanërisht në një fushë e cila prek shumë kontaktet mes njerëzve dhe që ka një impakt të drejtpërdrejtë mbi popullatën”, - tha Leigh.
Dokumenti
Dorëzimi i dokumentit vjen pesë muaj pas hyrjes në fuqi të lehtësimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Tashmë më BE-në fillon zyrtarisht dialogu për heqjen e plotë të vizave, i cili shoqërohet nga një seri detyrash. Ministri Basha sqaroi se udhërrëfyesi përmban katër blloqe kryesore të cilat kanë të bëjnë më sigurinë e dokumenteve, më sigurinë e kufijve, me çështje të mosdiskriminimit të qyetarëve dhe kanë të bëjnë në tërësi me çështje politike të njëjta me ato për të cilat Shqipëria dhe BE kanë bashkëpunuar për një kohë të gjatë si Reforma në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Sigurisht që synimi i qeverisë shqiptare është të shkurtojë në maksimum kohën në mes dhënies së këtij udhërrëfyesi dhe mekanizmave që do ta shoqërojnë dhe përfundimisht heqjes së vizave të BE-së për qytetarët shqiptarë”, - tha ai. Ministria e Jashtme e vlerëson dorëzimin e udhërrëfyesit si një hap të rëndësishëm në kuadër të dialogut për heqjen e vizave ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Më 7 mars të këtij viti, në emër të BE-së, Franko Fratini përcolli mesazhin pozitiv dhe të fuqishëm duke çelur procesin me një qëllim të përbashkët, lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë. Basha pohoi se dorëzimi i udhërrëfyesit është fryt i reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Ai siguroi se Shqipëria është drejt përmbushjes së plotë të pjesës më të madhe të objektivave të përshkruara në udhërrëfyes. Ndërkohë që sipas tij rezultatet e arritura kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, konsolidimit të shtetit ligjor dhe reformat elektorale dhe në gjyqësor si dhe përparimi i dukshëm ekonomik, fiskal dhe në administrinin e të ardhurave, cilësohet nga vendet anëtare të BE-së si shembull për rajonin tonë. Sipas tij, Shqipëria ka përjetuar transformimet më të thella nga të gjitha vendet e rajonit vitet e fundit. Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave është dëshmia më e fundit e përparimit të bërë nga Shqipëria dhe besimi që partnerët tanë evropianë kanë tek ne. Në përfundim, ministri Basha theksoi se procesi i liberalizimit të vizave është veçanërisht i rëndësishëm për brezin e ri në Shqipëri duke pasur parasysh se popullsia shqiptare është mjaft e re në moshë. Shqipëria është vendi i katërt në Ballkan, të cilit i dorëzohet udhërrëfyesi për liberalizmin e vizave, pas Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›