Do të rikthejmë lavdinë tonë elektorale
Nga prof. dr. Sali Berisha*
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,
Vëllezër e motra,
Zonja e zotërinj,
Së pari, ju përshëndes vëllazërisht ju, në këtë shesh, të gjithë qytetarët shqiptarë, kudo që ndodhen sot, u shpreh mirënjohjen më të thellë qytetarëve të kryeqytetit, të cilët me besimin e tyre, katër vjet më pare, bënë që Tirana, sot të jetë kryeqyteti i Shqipërisë anëtare e NATO-s, Tirana, sot të jetë kryeqyteti i Shqipërisë aplikante për anëtare e plotë në Bashkimin Evropian, Tirana, sot të jetë kryeqyteti i vendit me rritjen ekonomike më të lartë në Evropë, Tirana, sot të jetë kryeqyteti i vendit me rezultatet ndër më të shkëlqyera për klimën e biznesit, Tirana, sot të jetë në startin e madh të fitores së re, fitores së 28 qershorit, Tiranës evropiane, Shqipërisë evropiane.
Qytetare e qytetarë të Tiranës,
Sot, ne nisim startin e madh për fitoren e dytë. Fitoren, e cila do të ketë si motër 22 marsin e vitit ’92. Fitoren, e cila do të ketë për mision ëndrrën e madhe evropiane të tiranasve, të mbarë shqiptarëve. Tirana evropiane do të ndërtojë Shqipërinë evropiane, si të jetë Tirana, do të jetë Shqipëria.
Qytetare e qytetarë të Tiranës,
Katër vitet që vijnë, janë vitet e projektit tonë të madh, projekt me të cilin qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës, njëlloj si ata të vendeve evropiane, do të kenë rrugët, autostradat, transportin e standardeve më të mira.
Tirana evropiane dhe Shqipëria evropiane do të jetë Tirana e qytetarit dhe Shqipëria e qytetarit, me 24 orë ujë në mbarë vendin, me shkollat më të mira, me shërbimin shëndetësor dinjitoz për një qytetar evropian.
Tirana evropiane do të jetë Tirana e punës, e biznesit, e progresit, e zhvillimit, e pasurimit, e begatisë.
Në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, në katër vitet që vijnë, do të krijojmë së bashku 160 mijë vende pune të reja.
Tirana do të jetë në katër vite kryeqyteti me unazën më moderne dhe më të re në Evropë, i unazës së madhe dhe korridoreve të saj.
Tirana evropiane, Shqipëria evropiane do të jetë kryeqyteti i vendit, qytetarët e pensionistët, të cilët do të paguhen edhe më mirë se ata të 6 vendeve anëtare të BE-së.
Tirana evropiane do të jetë Tirana e lirive, do të jetë Tirana e prestigjit dhe e dinjitetit të këtij kombi.
Në katër vite, ne së bashku, këtu në Tiranë, ku ne e nisëm udhëtimin tonë të lirisë, do të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë të bukur, Tirana gati nuse, Shqipëria gati nuse për anëtare të Bashkimit Evropian.
Rroftë Tirana! Rroftë Shqipëria! Rroftë fitorja!
Së bashku, më 28 qershor të rikthejmë lavdinë tonë elektorale, 22 marsin e vitit ’92! Fitore!
*Kryeministër i Shqipërisë. Fjala në çeljen e fushatës elektorale në Tiranë për zgjedhjet e 28 qershorit 2009