Magna dhe Sberbank, shpëtimtaret e Opelit
Qeveria gjermane mbështet konceptin e sipërmarrjes austriako-kanadeze Magna, që bashkë me bankën ruse Sberbank, do të ketë shumicën e aksioneve të Opelit. Rusët duan të marrin 35% të aksioneve. Nga do të dalin këto para?
I pari që u prononcua lidhur me marrëveshjen me Magna-n ishte shefi i bankës ruse, Sberbank, German Gref. 56% të aksioneve të Sberbank i posedon shteti rus, që bashkë me Magna-n janë investitorët kryesorë që do ta shpëtojnë Opelin prej falimentimit. German Gref ka qenë më parë ministër i Ekonomisë dhe konsiderohet si njëri prej të besuarve të Kryeministrit Vladimir Putin. Me sa duket, Gref nuk ka qenë shumë i bindur për marrëveshjen, megjithatë ai ka thënë: “Ne si bankë jemi mjaft të interesuar për blerjen e 35% të aksioneve të Opelit. Me një çmim jashtëzakonisht të favorshëm ne marrim një prej prodhimeve më moderne të automobilave në Evropë”.
Gref nuk dha informacion lidhur me atë se sa dhe si do të paguajë Sberbank, banka më e madhe e Rusisë. Në disa publikime në Rusi thuhet se Sberbank bashkë me Magna-n ka investuar 700 milionë dollarë, më pas u bë fjalë për bono të konvertueshme në aksione, por në përgjithësi shuma do të jetë më e lartë. Ashtu si edhe banka të tjera, Sberbank, Arka ruse e Kursimeve, ka në bilancet e saj shumë kredi të këqija, ndër të tjera ato të Oleg Deripaska, pronarit të gjigandit rus të automobilave, Gaz. Kjo fabrikë që ndodhet në Nishni-Novgorod është jo vetëm e vjetruar, por edhe e zhytur në borxhe. Me ndihmën e Opelit, me sa duket, synohet që ajo të modernizohet.
Se si do të pushtohet tregu aziatiko-qendror dhe ai rus i automobilave, mbetet një pikëpyetje e madhe. Opel zë vendin e shtatë sa i përket shkallës së preferencës së klientelës ruse, krahasuar me modelet e tjera të huaja në Rusi. Afrimi në treg do të bëhet i mundur përmes çmimeve. Një ekspert kërkon përgjysmimin e çmimeve. Por në një rast të tillë, për shkak të kostove të ulëta të pagave, do të duhej që prodhimi të zhvendosej në Rusi. Tani për tani as që është menduar për një gjë të tillë. Një rol qendror luan ndërkohë oligarku i sipërpërmendur, Oleg Deripaska. Duke qenë mik i ngushtë me shefin e Magna-s Frank Stronach, ai shpreson që të modernizojë sipërmarrjen e tij të rrënuar, Gaz.
Në Nishni-Novgorod, 400 km larg Moskës, kjo shihet me skepticizëm. Një ekspert automobilash thotë se disa ekspertë mendojnë që ky biznes është me avantazh e kësisoj mund të prodhohen këtu modelet Opel. Në të vërtetë kjo nuk do të jetë e lehtë. Shumë investitorë të huaj, që u aktivizuan, përfunduan në qorrsokak.
A do të ketë vallë një Volkswagen ruso-gjerman me emrin Opel të preferuar nga masa e gjerë e blerësve? Këtë pyetje shtron një gazetë online. Një gjë është e qartë: Interesi i Rusisë për Opelin është pa dyshim i lidhur me rreziqe. Vendimtare do të jetë se çfarë do të bëjë Kremlini afatgjatë me këtë angazhim.