E Diel, 1 Nëntor 2026

“Do të rriten me 10-20% pensionet në qytet e fshat”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kryeministri Berisha ka shpallur dje në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, buxhetin e ri të vitit 2009, vit i cili do të përfshihet, siç tha dhe kryeministri, nga fushata elektorale për zgjedhjet kombëtare. Ky buxhet arrin në vlerën 5.2 miliardë dollarë. Kryeministri tha se ky buxhet rritet me dyfishin, krahasuar me buxhetin e fundit të qeverisë socialiste, ndërsa krahasuar me këtë qeveri, me muajin shtator 2007, ai do të jetë 1 miliardë dollarë më shumë. "Rritja e buxhetit, mbështet fuqishëm investimet në të katër anët e vendit, në ujësjellës - kanalizime, impiante të përpunimit të ujërave, në rrugë dytësore, në investimet në akset kombëtare." Berisha vlerësoi punën e ministrive që kanë arritur të hartojnë në kohë buxhetin 2009, duke i krijuar mundësinë qeverisë që ta paraqesë atë në Parlament brenda muajit shtator. Më tej kreu i qeverisë u shpreh: “Kjo mbledhje është thirrur për të diskutuar kuadrin makroekonomik-fiskal për periudhën 2009-2011. Në Komitetin e Planifikimit Strategjik qëllimi kryesor është ridiskutimi i tavaneve dhe ndarjeve kryesore të buxhetit të vitit 2009. Të ardhurat në këtë buxhet, pa llogaritur privatizimet, arrijnë në 340 miliardë lekë. Buxheti në tërësi arrin në vlerën 5.2 miliardë dollarë. Krahasuar me këtë qeveri dhe jo me 2 vjet më parë, por me muajin shtator 2007, buxheti i këtij viti do të jetë 1 miliard dollarë më shumë. Ndërsa buxhetit i vitit 2008 ishte 4.2 miliardë dollarë, buxheti i vitit 2009 është 5.2 miliardë dollarë. Para së gjithash, kjo rritje do të thotë “ogur i bardhë” për 800 mijë familje shqiptare, pasi buxheti parashikon një rritje tjetër të madhe të rrogave dhe pensioneve, rritje që ia bën të mundur kësaj qeverie të dyfishojë rrogat e mësuesve të infermierëve, të mjekëve. Kështu, vitin që vjen, rritja e pensioneve në qytet e fshat nuk do të jetë ashtu siç ka qenë më parë, me 5 dhe 10 për qind, por do të jetë 10 dhe 20 për qind. Risia e kësaj rritjeje është fakti se do të bëhet më 1 maj 2009. Këtë e diktojnë zgjedhjet e ardhshme, ndaj, pavarësisht se rëndohet shumë fatura financiare, ne nuk mund të presim të bëhet kjo rritje në qershor 2009, periudhë kur është fushata elektorale, pasi kjo do të shfrytëzohej për kritika ndaj qeverisë. Kështu, rritja nis nga data 1 maj 2009, datë në të cilën nuk ka filluar ende fushata elektorale zyrtare. Buxheti është paraqitur në kohë dhe ministritë kanë bërë një punë serioze. Përmes tij, janë tejkaluar ndjeshëm parashikimet që ne kemi bërë më parë. Nëse vëreni tavanet që kishim parashikuar, del se ato janë tejkaluar, në sajë të një performance shumë të mirë të sektorëve të doganave dhe tatimeve, por në tërësi të qeverisë, e cila ia del të çojë në parlament, brenda muajit shtator, një buxhet prej 5.2 miliardë dollarë, një buxhet që mbart në vete zarfin më të mirë se çdo buxhet tjetër për rritjen e rrogave, pensioneve dhe të ndihmës ekonomike. Janë 800 mijë familje shqiptare të cilave ky buxhet u ndryshon ndjeshëm mirëqenien. Kjo politikë ka bërë që rroga mesatare në këtë vend të jetë ndër më të lartat sot. Në sektorin publik ajo ka arritur shumën 502 dollarë, ose 427 mijë lekë. Ftoj edhe sektorin privat, i cili edhe ai ka bërë progres në rritjen e rrogave, që ta vazhdojë këtë rrugë. Në rast se sipas statistikave të ILO-s, Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që bën të ditur se rroga mesatare ka qenë 220 dollarë, tashmë këtë rrogë për punonjësit në Shqipëri e kemi mbidyfishuar, duke e çuar në 502. Kjo është një rrogë mesatare e pranueshme për një vend me një trashëgimi si Shqipëria. Sërish ju kujtoj të mos harroni datën 1 maj, si dita e rritjes së rrogave dhe pensioneve”, - përfundoi fjalën e tij në Komitetin e Strategjive, kreu i qeverisë.

Pensionet dhe pagat

Më 1 maj 2009 përfitojnë rreth 800 mijë familje shqiptare

Berisha tha se, bazuar në rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, më 1 maj 2009, qeveria do të bëjë rritjen e re të pensioneve dhe pagave për rreth 800 mijë familje shqiptare. Berisha u shpreh se rritja e buxhetit të këtij viti me 1 miliard lekë më shumë se buxheti i vitit 2008, i jep mundësinë qeverisë të dyfishojë pagat e mësuesve, të infermierëve e mjekëve. Duke u ndalur në rëndësinë e rritjes së pensioneve, Kryeministri nënvizoi se “vitin që vjen rritja e pensioneve në qytet e fshat nuk do të jetë ashtu siç ka qenë më parë, me 5 dhe 10 për qind, por do jetë 10 dhe 20 për qind.” Risia e kësaj rritjeje, - theksoi Kryeministri, - është fakti se ajo do të bëhet më 1 maj 2009. “Këtë e diktojnë zgjedhjet e ardhshme, ndaj, pavarësisht se rëndohet shumë fatura financiare, ne nuk mund të presim që rritja e tyre të bëhet në qershor 2009, periudhë kur është fushata elektorale, pasi kjo do të shfrytëzohej për kritika ndaj qeverisë”, - u shpreh Kryeministri.
Ky lajm është publikuar: 03/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›