E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia “ndihmon” me gjak, shet një qese 150 euro

Autori i Lajmit: red.
Bankat e Gjakut në Lushnjë dhe në Fier nuk kanë as edhe një qeskë gjak. Lajmi konfirmohet nga mjekë të kësaj banke gjaku. Mjeku specialist pranë Punktit të Lushnjës, Mehmet Xhindole, shprehet për gazetën se faza aktuale e sasisë së gjakut nuk premton për të përballuar numrin e lartë të të sëmurëve talasemikë, të cilët, në shumë raste, janë kthyer në banesat e tyre pa marrë trajtimin e nevojshëm. Madje, Xhindole deklaron se edhe shpresa që ishte për sigurim gjaku nga Italia, përfundimisht u shkëput. Duke shpresuar në politikat e ministres së re të Shëndetësisë, si dhe pas vizitës për specializim që kreu në Itali, mjeku specialist i gjakut, Mehmet Xhindole, deklaron për gazetën se "një flakon gjaku në Italia, ashtu si u premtua prej ministrit shkonte në 150 euro, çka nuk i intereson shtetit tonë gjak kaq i shtrenjtë". Në fakt Qendra Rajonale e Hematologjisë së Lushnjës dhe Punkti i gjakut pranë kësaj qendre duhet të mbledhë rezerva gjaku edhe nga banka të tjera më të vogla, siç është ajo e Fierit. Vlorës, Beratit. "Asnjë prej këtyre bankave nuk dërgon rregullisht gjak. Gjatë këtij viti është parë edhe fenomeni që prej punkteve të këtyre qyteteve të vjen gjak, i cili për tri ditë skadon dhe, si i tillë, ai gjak as për atë punkt që e lëshon dhe as për ne që e marrin, nuk kryen më funksionin e duhur. Dhe e gjithë kjo lëvizje, sipas meje, kryhet për të përmbushur kërkesat e duhura ata që i lëshojnë këto rezerva gjaku, pa detajuar në "lumin" e shkresave këto specifika të gjakut", - ka akuzuar specialisti Mehmet Xhindole. Në këtë fillim shtatori, sasia e rezervave të gjakut që ndodheshin në Punktin e Lushnjes nuk kalonte të 10 flakonët. Bluzat e bardha të Punktit Lushnje kanë thënë se kanë arritur që të sigurojnë gjashtë flakonë pas një fushate sensibilizuese që kanë kryer në Grabian, fushatë e cila do të pasohet me fushata të tjera që do të zhvillohen gjatë kësaj jave në Kolonjë, Gradishtë, Bubullimë etj. Aktualisht, nuk ka as dhurues me pagesë dhe as vullnetarë, çka na lë ne si qendër rajonale hematologjie si dhe si Punkt në një situatë kritike", - ka përfunduar mjeku Mehmet Xhindole.

Do të rifillojë importimi i gjakut
Autoritetet shëndetësore në Shqipëri po rikthejnë edhe një herë në vëmendje opsionin e importimit të gjakut nga vendet e tjera. Ky proces shumë delikat dhe mjaft i kushtueshëm për buxhetin e shtetit, sipas ekspertëve diktohet nga vështirësitë që kanë aktualisht bankat e gjakut, ose siç njihen në gjuhën mjekësore qendrat e grumbullimit të gjakut nga dhurimet, në të gjithë vendin. Gjatë këtyre 10 ditëve të fundit, punonjësit e shëndetësisë janë ndier keq për mosplotësimin e normave të pritshme të dhurimit të gjakut, një fakt që e pranon dhe zëvendësministri i shëndetësisë, Arben Ivanaj.
Ky lajm është publikuar: 03/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›