“Do të tejkalojmë numrin e deputetëve krahasuar me katër vite më parë”
Imami prezanton në Gramsh kandidaten për deputete, znj.Irena Progni: Bllokimi i integrimit nga Edi Rama i mohon Shqipërisë 400 milionë euro fonde të BE
Ministri i Mbrojtjes njëherësh kryesuesi i zgjedhjeve në qarkun e Elbasanit, Arben Imami, ka prezantuar në Gramsh kandidaten për deputete të këtij qyteti, Irena Progri një vajzë nga ky qytet. “Jam i bindur se ju qytetarët e Gramshit në mbështetje të PD do të votoni për Irenën sepse me të vërtetë ne jemi të angazhuar të gjithë për ta çuar Irenën në parlament. Kjo nuk është një fjalë, pala tjetër nëse para tre muajsh mendonin se kanë gjëra të sigurta do të përpiqet të mbajë rezultatin 7 me 7. Por ne jemi të bindur se me një punë të mirë, me të gjithë investimet që kemi bërë për qarkun e Elbasanit, me këtë perspektivë të madhe pune që hapet në të gjithë qarkun, por të them të drejtën më tepër se në të gjithë në Gramsh, ne i kemi të gjitha shanset që me hapjen e rrugës Elbasan – Tiranë të shkojmë më tepër se 7 me 7, ky është objektivi ynë. Kur them se Gramshi duhet të votojë fort për parlamentin shqiptar kjo është diçka e sinqertë që luftoj dhe mendoj”, tha Imami.
Ai nuk ka harruar pa falenderuar punën e bërë nga deputeti Sybi Hida që sipas Imamit ka bërë një punë të shkëlqyer si deputet në parlament, ashtu edhe ka bërë një punë të shkëlqyer si deputet në rrethin e Gramshit. “Të gjitha këto investime që janë bërë në Gramsh do të ishin të pa mundura pa deputetin Sybi Hida. Gramshi deri para dy vjetësh jo se nuk ishte në qendër të vëmëndjes por është e vështirë të bëhen të gjitha njëherë. Siç tha edhe kryeministri që Gramshi do të jetë në qendër të vëmëndjes këtë katër vjeçar ka filluar të bëhet, do të vazhdojë të bëhet. Janë 100 kilometra rrugë të rikonstruktuara nga këto janë edhe 15 kilometra rrugë që janë krejtësisht të reja. Janë rreth 17 milion dollarë të investuar në arsim, kanalizime, ujë të pijshëm etj. Vetëm nga qeveria shqiptare, vetëm për rrugë janë shpenzuar rreth 8 milion dollarë. Është punuar për rritjen e sektorit privat, janë investuar rreth 3 milion lekë fonde , mbi 400 punësime dhe 75 të vetëpunësuar. Ka një përmirësim të dukshëm në infrastrukturën e shëndetësisë rreth 45 qendra spitalore dhe shëndetësore, etj. Janë rikonstruktuar 33 shkolla dhe kopshte me një investim rreth 7 milion dollarë. Janë 300 familje fermerësh që kanë përfituar rreth gjysëm milioni dollarë. Të gjitha këto së bashku kanë çuar që prodhimi dhe mirëqenia e qytetarëve të këtij rrethi gjatë këtyre viteve të ketë përparuar. Është çështje ditësh edhe asfaltimi i rrugën nga Kotovjati në Poroçan, dhe sigurisht në katër vjeçarin e ardhshëm ne do të shkojmë në Poroçan. Kemi filluar edhe me asfaltime sheshesh në fshatra, siç është fshati Bërsnik. Kryeministri ka thënë premton gjithçka, sepse ne i kemi mundësitë që katër vjeçarin e ardhëm ne do të sjellim rrugë, shkollë, dhe qendra shëndetësore. Do të jetë rruga Banjë - Gramsh, buzë liqenit me standarte të mira, do të nisin punimet pa vajtur në vjeshtë, pasi po presim me orë që të mbarojë projekti i rrugës për të nisur menjëherë puna. Po fillon vepra më e madhe hidroenergjitike në Europë nga kompania më e madhe që është “Statkraft”. Ju do të jeni përfituesit e parë të saj do të ketë punësim për 5000 njerëz, do të ketë nevojë për ushqim, hoteleri, pastrim, kinema, dhe ky numër do të vijë në rritje. Çdo kush duhet të fillojë të mendojë në këtë prizëm. Të jeni të sigurtë se kur nis zhvillimi dhe punët ecin mbarë do të jetë gjithnjë mirë e më mirë. Pas katër vjetësh rrethi i Gramshit do të jetë një rreth tjetër, pasi ky zhvillim do të japë mirëqenie në familjet tuaja, në tokat tuaja, dhe në bizneset që ju ngrini. Janë perspektiva të prekshme dhe jo fjalë, janë një miliard euro që do të vendosen në disa vite rrjesht, janë mijëra njerëz që do të punojnë, rruga do të jetë e re, do të vazhdojmë me rrugën, kemi dhënë fjalën për fshatin Çekin. Për vitin e ardhshëm prioritet i imi është fshati Çekin, por sigurisht do të jetë Kukuri si edhe matanë lumit me investime serioze”- tha ai.
Imami deklaroi se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë më të mirat në histori dhe qytetarët do të votojnë për të ndëshkuar politikën bllokuese të Edi Ramës. Sipas tij, me marrjen e statusit të vendit kandidat, Shqipëria do përfitojë çdo vit 400 milionë euro nga fondet e BE.
“Këtë radhë Shqipëria do të kalojë një palë zgjedhje të mira sikurse në 2009 dhe brenda këtij viti do të marrim statusin e vendit kandidat, në këtë moment situata do të ndryshojë. Janë 300- 400 milion euro në vit që do të vijnë nga Brukseli në drejtim të Tiranës, dhe Shqipërisë. 400 milion është fatura për të gjithë Shqipërinë, mendoni sa e lehtë do të jetë dhe sa e lehtë do të ishte nëse Edi Rama do të kishte penguar integrimin e vendit në Europë. Për hir të vërtetës fitorja më e madhe e PD është se në këto vite krize ekonomia shqiptare qëndroi e fortë vazhdoi të rritet, të tjerët kanë shkurtuar vendet e punës, këtu papunsia është ulur, rrogat dhe pensionet në shqipëri ngrihen, prodhimi industrial dhe ai bujqësor vazhdon të ecë mirë, 6% ka qenë vitin e shkuar 33 % ka qenë katër vitet e shkuar rritja e prodhimit bujqësor. Të gjitha këto na bëjnë entuziast, por rritja e prodhimit bujqësor do të ishte e pamundur pa këtë program të infrastrukturës rrugore, pa mbështetjen e subvencioneve që i kemi dhënë fermerëve, ku vetëm në rrethin e Gramshit rreth gjysëm milioni dollar, dhe me ato që do të vazhdojnmë do të jenë akoma më shumë, do të tre fishojmë subvencionet, do të kemi një program të ri për infrastrukturën bujqësore. E gjithë kjo do të bëjë që prodhimi mirëqenia dhe punësimi të jetë në rritje katër viteve të ardhshme. Komuna Pishaj është pararoja jonë ndër vite. Por asnjëherë nuk mjafton ajo që kemi, duhet të kemi dëshirën dhe guximin që të ecim përpara. Sepse duhet të vijë një ditë që edhe në Gramsh PS të mos jetë parti e shumicës. Nuk ka asnjë arsye që mbas 20 vitesh, Gramshi të mos votojë blu, dhe ju të komunës Pishaj të jeni të parët që e bëni këtë gjë”- deklaroi Arben Imami, kryesuesi i zgjedhjeve në qarkun e Elbasanit, gjatë prezantimit të kandidates për deputete në Gramsh, znj. Irena Progni.