E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsulatat, mjekët braktisin ambulatorët

Pacientët pohojnë se mjekët nuk vijnë të vizitohen tek konsultat. Kemi prerë faturë të lartë dhe vijmë nga larg

Qendra e Konsultave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, vuan neglizhencën totale të mjekëve dhe të shefave të shërbimit, të cilët jo vetëm nuk zbatojnë oraret, por shpesh nuk paraqiten fare pranë kësaj konsulte. Ndonëse kjo qendër është vendosur në dispozicion të pacientëve ambulatorë prej më shumë se një viti, për të shmangur konfuzionin që bëhet nëpër pavione, duket se kjo rregullore nuk po zbatohet nga një pjesë e bluzave të bardha. Të lodhur nga pritjet e gjata të mjekëve kapriçiozë, pacientët shprehen tepër të revoltuar. Madje, edhe personeli që punon pranë Qendrës së Konsultave, e pohon se një pjesë e mjekëve nuk janë aspak korrektë me zbatimet e orareve.

Neglizhenca

Ndonëse është ora rreth 12 dhe mjekët duhej të ishin në orarin e punës, mjafton të trokasësh në dyert e Qendrës së Konsultave dhe nuk do të gjesh as gjysmën e bluzave të bardha në shërbim. “Në fakt ndodh që ndonjë nga mjekët specialistë nuk vjen, por edhe shefat ka raste që mungojnë, ndaj dhe dyert janë të mbylluara”, - pohon njëra nga punonjëset e Qendrës së Konsulave, duke shtuar se kjo qendër po e humb çdo ditë e më shumë rëndësinë që ka, për shkak të neglizhencës së mjekëve. E ndërsa dyert e Qendrës së Konsultave janë të mbyllura, në pavione vihet re një rrëmujë e madhe, pasi ambulatorët, duke mos gjetur shërbim tek kjo qendër që është apostafat për ta, shkojnë nëpër pavione, ndonëse është e ndaluar që mjekët të vizitojnë në pavione.

Pacientët

Neglizhentë në maksimum dhe tepër indiferentë paraqiten mjekët dhe shefat e shërbimeve ndaj pacientëve që sakrifikojnë jo pak, për të përfituar një konsultë ndaj profesorëve me emër. Vijnë nga të gjitha anët e vendit, disa me rekomandime e të tjerë që paguajnë tarifën, por kur paraqiten për konsultë mungojnë profesorët. "Kam ardhur nga Berati për të bërë një vizitë tek specialistët e Nefrologjisë. Këtë vizitë e kisha prenotuar me telefon dhe kam prerë edhe faturën 2 mijë lekë, por këtu më thanë se vizitën do ta bëj me një mjek tjetër", - thotë pacienti, Hysen Cenaj, i cili thekson se ka më shumë se dy orë që po pret për të bërë vizitën, por ende asnjë mjek nuk është dukur për t’i dhënë shërbimin shëndetësor. Ndërkohë, pacientët pohojnë se në kërkim të vizitës së profesorëve me emër, janë të detyruar të kërkojnë shefat e shërbimit pranë pavioneve ku punojnë, edhe pse kjo nuk është e lejuar në bazë të rregullores.

Rregullorja, ambulatorët, vetëm tek konsultat

Sipas rregullores së Drejtorisë së QSUT-së, vizitat ambulatore, duhet të bëhen vetëm pranë Qendrës së Konsultave, ndërsa në pavione lejohet vetëm vizita për pacientët e shtruar në spital. Megjithatë, duket se kjo rregullore ka mbetur vetëm në letër, pasi nga konstatimi ynë dhe pohomi i vetë pacientëve, shefat e shërbimeve po zhvillojnë vizita ambulatore edhe pranë pavioneve. "Vetëm në pavion munda ta gjej doktorin dhe vizitën e bëra pa prerë faturë fare, sepse lekët ia dhashë doktorit", - tha njëri nga pacientët, duke shtuar se zbatimi i rregullave duhet të vazhdojë nga vetë shefat dhe mjekët, pastaj rregullat të gjejnë terren tek pacientët, të cilët vetëm halli i përplas në dyert e spitalit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›