E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do vazhdojmë të flasim pavarësisht statutit

Bello

Ne do të vazhdojmë të flasim për situatën në parti dhe për nevojën e bashkimit të së majtës. Kështu u shpreh dje, deputeti socialist, Marko Bello, që njihet edhe si një pjesëtar i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Ashtu sikurse në prononcimet pas Kongresit, ai ka paralajmëruar ecurinë e marrëdhënieve mes kësaj lëvizjeje dhe ekipit drejtues të PS, marrëdhënie e cila nuk mund të kushtëzohet nga normat statutore. Referenca e këtij qëndrimi lidhet me ndryshimet e fundit që parashikojnë forcimin disiplinor në forume dhe penalizmin e atyre që shprehen përtej vendimeve të shumicës. Duke reflektuar një përpjekje izoluese për LMN apo më saktë për atë që njihet si mediatizim i mendimit ndryshe, Statuti i ri edhe pse sanksionon disiplinën institucionale nuk do të pezullojë dot kritikën nga brenda. Kështu, nëse ndryshimet në Kryesinë e PS, Asamble apo sekretariat janë tanimë të panegociueshme, është e qartë se penalizmi i zërave ndryshe nuk mund të ushtrohet efektivisht në Grupin Parlamentar. Kështu, konteksti i veprimeve të deritanishme politike të selisë rozë mund të provokojë divergjenca dhe veprime alternative të deputetëve të LMN, përballja e të cilëve me ekipin drejtues të PS nuk mund të presë alternativë tjetër. Kjo situatë dëshmon për atë se masat disiplinore të instaluara në kuadrin statutor synojnë kryesisht kontrollin e partisë dhe izolimin e qendrave të mendimit alternativ për ta izoluar këtë të fundit vetëm në bastionin e fundit që është Grupi Parlamentar. Vështruar në dritën e deklarimit të Bellos është e pritshme që ky institucion të jetë mjedisi i vetëm ku arsyetimet alternative të gjejnë një dritare komunikimi masiv me publikun. Nga ana tjetër, vendosmëria e shprehur për të mos ndërprerë dialogun me opinionin duket se më shumë se sfidë ndaj statutit është një sfidë për të siguruar perspektivën e LMN, që natyrisht do të marrë një zgjidhje finale në fund të kësaj legjislature.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›