Femrat kundër femrave
Në luftën shekullore për barazinë gjinore, armiku kryesor i femrave ka qenë mashkulli, i cili me pushtetin e tij ka kërkuar dhe kërkon të mbizotërojë të gjithë fushat e jetës. Mendoja se edhe në vendin tonë, përballja ishte e njëjtë, ndërsa ngrija pyetjet e zakonshme: Cili është armiku më i madh i emancipimit të femrave këtu në Shqipëri? Përse femrat shqiptare nuk arrijnë të formojnë një figurë të fortë e plot dinjitet? Përse edhe në rastet më të mira të performancës së tyre në punë, ato rrethohen nga një kurorë negative thashethemesh të dëmshme?
Një analizë më e thellë e disa minindodhive të ditëve të fundit më bënë të kuptoj se përgjigjja e vetme për pyetjet e mësipërme ishte më e thjeshtë seç e pandehja: Xhelozia femërore dhe thashethemet që femrat thurin për pjesëtaret e tjera të grupit femëror janë arsyet e vetme pse femrat shqiptare vazhdojnë të notojnë në pellgun e baltosur plot me lëmishte të kalbura. Rastet ku figurat femërore sulmohen nga personazhe femra, në shoqërinë tonë janë jo vetëm të dukshme, por tashmë janë bërë të zakonshme e të kudodëgjuara.
Kështu kemi femrën shefe, për të cilën ngrihen një sërë akuzash e thashethemesh, sipas të cilave, pozicioni i saj është fituar vetëm në sajë të hireve femërore dhe jo të aftësisë në punë. Fjalë këto që në pjesën më të madhe të rasteve përfliten po nga gjinia femërore, e sidomos nga ajo pjesë që janë vartëse e që e dëshirojnë të ngjiten pak më lart në shkallët e pushtetit.
Kemi femra të tjera në fusha më të spikatura si ajo e televizionit, ku thashethemnaja është edhe më e madhe, dhe përveç meshkujve që hedhin gurin e tyre të helmatisur, më të fortë akoma janë gurët që hidhen nga grupazhi femëror, i cili nuk përton t’i rendisë personazhit të përfolur një sërë të dashurish e partnerësh, pa u kujdesur asnjëherë të mendoj se sa të vërteta janë shpifësitë që thonë.
Të njëjtën situatë ndeshim në politikë, ku femrat e bukura nuk guxojnë të kenë vend, sepse meshkujt e kanë pushtuar prej shekujsh atë piedestal dhe e lëshojnë vetëm me luftë, madje edhe kur humbasin nuk kanë fuqi ta pranojnë humbjen e tyre, por përballë femrave apo edhe kolegëve të tjerë, hamendësojnë për rrugët e turpshme që filan ministre ka përdorur për të hipur në pushtet. Këto hamendësime egoiste e të padenja merren nga gjinia femërore dhe shumohen, tjetërsohen e zmadhohen, duke u shitur si të vërteta të padiskutueshme.
Rastet e përfoljeve shihen në të gjitha shtresat shoqërore, dhe ajo që i bashkon është inferioriteti femëror, është shikimi nga poshtë-lart, i cili bën që femrat e parealizuara në jetën e tyre, të shpifin dhe të përdhosin jetën e atyre që janë më sipër, e si rrjedhojë edhe të paarritshme për to. Kjo nuk ndodh vetëm në politikë, televizion, apo administratë, por edhe kudo në shoqërinë shqiptare, mes kunatash, vjehrrash, komshiesh, e punonjësesh në çfarëdolloj sektori.
E vërteta është se në të gjitha fushat e sipërpërmendura, ekzistojnë figura femërore, të cilat gjatë rrugës së tyre të suksesit kanë përdorur mjete apo mënyra të padrejta dhe të pahijshme. Por kjo e vërtetë nuk e justifikon, xhelozinë dhe verbërinë e femrave të tjera ndaj dikujt që është ngjitur atje lart me mundime, me aftësi, me guxim dhe me sakrifica.
Ajo çfarë e bashkon tjetër këtë mësymje fjalësh të liga e të paqena, është mospërballja. Askush nga femrat që bëjnë thashetheme korridoreve e lokaleve nuk ka aftësinë të përballet me “ato të përfolurat”: me shefen, me deputeten, me ministren, me gazetaren, apo me komshien përballë e t’ia përplasë në sy, se të mirat që ajo zotëron, i ka përfituar në sajë të padrejtësive dhe shkeljes së moralit.
Fatkeqësisht, ligësia, xhelozia dhe thashethemi femëror, kjo rrjetë merimange e ka pushtuar aq shumë mendjen femërore, dhe është pështjellë kaq shumë rreth saj saqë tanimë, femrat nuk dalin dot më në ajër të pastër dhe nuk kanë më mundësinë për të gjykuar drejt për ato çfarë dëgjojnë, apo të bëjnë pyetjen e thjeshtë: “A janë të vërteta ato që thuhen?”. Kjo pandërgjegjshmëri bën që shtëllunga e thashethemeve që thuhet për një personazh tjetër femër të plekset aq shumë me fije e me lëmshe, saqë askush nuk e njeh të vërtetën, duke bërë që shoqëria jonë të hedhë hapa mbrapa. Sepse gojët e liga femërore, ndërsa merren me jetën e të tjerave, me daljet, shëtitjet, kafetë, fustanet, këpucët, drekat e darkat që ato “femrat e përdala” kanë shijuar pa të drejtë në publik, harrojnë të merren me jetën e tyre, harrojnë të edukohen, të arsimohen, harrojnë të ecin përpara dhe nuk kuptojnë se arma - mashkull që përdorin kundrejt femrave, është pikërisht shkaku kryesor i mosemancipimit. Me sjelljen e tyre janë pikërisht ato që bëhen vegla dhe vjedhurazi pranojnë të mbeten nën batakun e fëlliqur e të përfolur mashkullor, e jo vetëm kaq por detyrohen të pranojnë edhe turpërime të heshtura, mjafton që këto të mos merren vesh nga “bota”.
Këto lloj femrash harrojnë se të bësh thashetheme, përveç se është shenjë e theksuar e prapambetjes, inferioritetit, e xhelozisë, tregon qartë paaftësinë për të ecur përpara, tregon ngushtësinë shpirtërore, tregon moszgjuarsi për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, tregon pakënaqësinë që femrat kanë nga jeta e tyre duke kërkuar ta mbushin atë me ngjarjet e jetës së dikujt tjetër dhe nuk ka mjerim më të madh se ky.
#