Maqedonia hap portat e Drinit të Zi, rrezik në Dibër
Gjatë këtyre ditëve në Drinin e Zi rezulton të ketë prurje maksimale. Shkak i prurjeve, përveçse moti me reshje të dendura shiu, është bërë edhe hapja e portave të shkarkimit në hidrocentralin e Spilesë në Dibër të Madhe të Maqedonisë, pikërisht aty ku dhe fillon rrjedhja e Drinit në zonën shqiptare. Mësohet se hapja e portave të shkarkimit të këtij hidrocentrali ka ardhur nga hapja e 6 portave të rrjedhjes së Drinit në Liqenin e Ohrit në Strugë të Maqedonisë. Ndërkohë një situatë e tillë e rritjes së prurjeve të Drinit ka rritur dukshëm rrezikun e përmbytjeve në fshatin Gjoricë, të po kësaj komune në Rrethin e Bulqizës, ku nga momenti në moment uji mund të kapërcejë shtratin e rrjedhjes për të depërtuar në tokat e shtëpitë e këtij fshati. Ndërkaq burime nga fshati Topojan, që ndodhet në të djathtë të rrjedhjes së Drinit, rreth dy kilometra poshtë Gjoricës, konfirmojnë për “Shqip” se prurjet e pazakonta të këtyre ditëve kanë rikthyer situatën e muajit janar të këtij viti, duke bllokuar rrugën automobilistike që e lidh fshatin me rrugën nacionale. Shtim të prurjeve ka pasur edhe në lumin e Matit, i cili zbret nga malet e Martaneshit dhe përshkon gjithë Luginën e Matit. Në kaskadën e këtij lumi funksionojnë dy hidrocentrale nga më të parët në vendin tonë, ai i Ulzës dhe Shkopetit, të lidhur me sistemin unik energjetik të vendit tonë. Burime nga këta hidrocentrale konfirmojnë për “Shqip” se prurjet e ujit gjatë këtyre ditëve kanë shënuar nivele rekord, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ku rezervarët ujëmbledhës të tyre kanë qenë të mbushura që nga muaji janar. Kështu sipas specialistëve, prurjet e ujit kanë shkuar në 560 metër kub për sekondë ose tre herë më të larta se prurjet e konsideruara maksimale ndër vite në këtë basen ujor. Natyrshëm që një situatë e tillë ka bërë që në të dy këto hidrocentrale të hapen portat e shkarkimit të ujit, ndërkohë që ato punojnë me kapacitet të plotë. Në hidrocentralin e Ulzës janë në gjendje punë katër turbina, kurse në atë të Shkopetit dy turbina. Ndërkohë nga vërshimet e ujit të lumit të Matit janë vënë në rrezik toka, oborre shtëpish dhe dhjetëra banesa në lagjen “Myzë” të fshatit Zenisht, në komunën Lis.
#