E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nyja" e Tavanxhiut në Turqi

Edhe një herë, skulptori shqiptar, Genti Tavanxhiu, i është rikthyer temës së komunikimit mes njerëzve, kulturave dhe popujve. Ai ka qenë i ftuar në simpoziumin e dytë të skulpturës në Antalia të Turqisë, ka gdhendur një "nyje" monumentale në mermer, e gjatë tre metra. Vepra është realizuar nga artisti në muajin tetor së bashku me të tjerë skulptorë, të cilët vinin nga vende të ndryshme. "Nyja" e Genti Tavanxhiut është vendosur në parkun e universitetit të Antalias. Në këtë skulpturë, Genti ka ripërpunuar në mënyrë personale temën e ndërlidhjes mes vendeve, sidomos duke u bazuar në skemën përbërëse të sarkofagëve etruske, e mbi të gjitha në ato të epokës romake, një ndikim ende i dukshëm në qytetin turk të Antalias, një qytet mjaft i pasur me dëshmi artistike edhe të periudhës helenistike, si dhe të periudhës kur sundoi perandori romak Adriani, i cili e vizitoi qytetin në vitin 130 para Krishtit. Skulptura e artistit shqiptar, nëpërmjet nyjës lidhës, shpreh në mënyrë simbolike, nëpërmjet formës së saj abstrakte, lidhjen që bashkon në mënyrë të pazgjidhshme, në një shpirt të vetëm, dy apo më shumë persona, një vepër, fjala kyç e së cilës është "dashuria". Skulptori braktis format tradicionale të nyjës me format e rrumbullakëta të saj, duke e sjellë atë në prerje gati katrore, që i shtojnë më tepër dinamizmin e skulpturës, aq sa të duket sikur evokojnë një elegancë të rafinuar, njësoj si ajo e skulpturave helenistike harmonizuar me shkrimet e lirshme të shkrimeve aziatike. Skulptura e shqiptarit Genti Tavanxhiut në dinamizmin e saj, shpërfaq një lidhje me kulturën mesdhetare të qytetit turk, e cila lidhet ngushtësisht edhe me prezencën e detit, me elementin e ujit, burimit të jetës, mjaft i rëndësishëm për prezencën e njeriut. Gjendet në këtë vepër edhe rrugëtimi artistik dhe estetik i artistit shqiptar, i cili gjithnjë ka qenë shumë i hapur ndaj horizonteve dhe eksperiencave të reja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›