Skema e sigurimeve, si do të përfitojnë emigrantët
Në kuadër të takimeve me synim informimin e emigrantëve shqiptarë lidhur me skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore në Shqipëri dhe pjesëmarrjes në të, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, u zhvillua sot takimi mes drejtuesve të ISSH-së dhe Presidentit Kombëtar të ACAI-t, Leonardo Maiolica. "Ky takim i sotëm shënon fillimin e bashkëpunimit mes ACAI-t dhe ISSH-së, për informimin falas të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali lidhur me përfitimet nga skema shqiptare. Ky bashkëpunim është në vijim të bashkëpunimeve me të gjitha institutet e mbrojtjes të së drejtave të emigrantëve që ushtrojnë të drejtat e tyre në territorin italian", tha në fillim të takimit drejtoresha e ISSH-së, Evelina Koldashi. Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, firmosur në qershor të vitit 2008 në Itali, ACAI merr përsipër përgatitjen falas të informacionit për pagesën e kontributeve dhe skemën e sigurimeve në Shqipëri në të dyja gjuhët dhe e shpërndan atë përmes 263 zyrave që ka në Itali. "Ne kemi nisur menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes informimin e emigrantëve lidhur me skemën e kontributeve në shumë prej zyrave tona, ndërsa shumë shpejt do të hapim zyrën e parë në Torino, ku do të punësohet një shqiptar që ka njohuri në fushën e kontributeve", tha Maiolica. Këto marrëveshje, të cilat janë lidhur edhe me patronate të tjera të rëndësishme në Itali, si INAS dhe ENAS, synojnë të garantojnë edhe një herë se, çdokush që jeton sot në Itali dhe që ka pasur një histori marrëdhëniesh kontributeve në Shqipëri, do të mund t‘i marrë ato. "Me këtë rast dëshiroj të siguroj gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Itali, se është në detyrën tonë jo vetëm administrative, por edhe sociale, për të garantuar çdo qindarkë të derdhur gjatë viteve të punës në Shqipëri dhe, se përmes plotësimit të viteve të munguara, do t‘u bëhet e mundur plotësimi i kontributeve të nevojshme për të pasur një garanci sociale në çdo kohë edhe në vendlindjen e tyre", tha Koldashi, duke theksuar se, ISSH e sheh si një detyrim t‘u përgjigjet kërkesave të kujtdo bashkatdhetari që do të kërkojë njohjen e së kaluarës së tij kontributeve dhe kërkesave për vazhdimësinë e këtij historiku.