E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobesohet Irene. 11 viktima e miliona dollare deme

“Irene” mbërriti më pak i fuqishëm në Nju Jork duke u klasifikuar në stuhi tropikale. Në Bruklin shumë rrugë u përmbytën. Niveli i East River arriti deri në trotuar, ndërsa lumi Hudson mbikaloi argjinaturën dhe zhyti në ujë shëtitoren e Battery Park. Qyteti është ende në gjendje alarmi, pasi vazhdojnë erërat e fuqishme, ndërsa ekziston rreziku i përmbytjeve edhe pse rreshjet kanë pushuar. Kalimi i uraganit” Irene” në kryeqytetin financiar të SHBA pritet të zgjasë deri pasditen e ditës së hënë.

Shumë njerëz, kuriozë për të parë dëmet që ka shkaktuar stuhia kanë zbritur në rrugë, duke injoruar apelin e bërë nga kryebashkiaku Blumberg për të qëndruar në shtëpi. Megjithatë, shqetësim për autoritetet mbetet një black- out gjeneral, ndërkohë që në errësirë gjenden tashmë rreth 4 milion persona në Brigjet Lindore, nga të cilët rreth 50 mijë në Nju Jork.

Përveç dëmeve materiale, Uragani shkaktoi edhe viktima. Më herët u fol për 9 të vdekur, por numri i tyre ka shkuar në 11- shtatë burra, dy gra dhe dy fëmijë. Ndërkaq kanë filluar llogaritjet e para të dëmeve. Guvernatori i Nju Xhersit, ka deklaruar se Irene ka shkaktuar mijëra miliardë dollar dëme, ndërsa përshkruan situatën mjaft serioze në zonën që drejton: 250 rrugë të mbyllura, mbi 1 milionë persona të evakuuar dhe rrezikun nga përmbytjet ende të lartë. E megjithatë, sipas Rojes Bregdetare Amerikane, këto dëme janë në nivele inferiore nga sa ishte parashikuar.

Uragani “Irene” ka shkaktuar problem edhe me fluturimet. Mbi 9 mijë  të tilla u pezulluan, ndërsa mund të thuhet se është mbyllur e gjithë hapësira ajrore e brigjeve lindore, aq sa nuk ka asnjë fluturim në nisje nga Karolina e Veriut drejt Bostonit, dhe e kundërta. Si pasojë e kushteve atmosferike janë mbyllur edhe aeroportet ndërkombëtare të  Newark dhe John Fitzgerald Kennedy dhe vetëm në Washington kanë filluar fluturimet e para.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›