Sarkozi, probleme me shëndetin, shtrohet urgjent në spital
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, u shtrua urgjent në spital për shkak të një shqetësimi shëndetësor gjatë kohës që ishte duke u marrë me ushtrime fizike. Sipas një komunikate të dalë nga Elizeja, "Presidenti u ndie keq dhe humbi ndjenjat papritur, për shkak të një mbingarkese të vogël nervore në kohën që po merrej me sport. Ai u vendos menjëherë nën vëzhgimin e mjekut të tij personal për t‘u shtruar më pas në një spital ushtarak. Aktualisht po u nënshtrohet një sërë analizave shtesë. Mund t‘ju them se është në gjendje të mirë shëndetësore". Sarkozi, 54 vjeç, merret vazhdimisht me "jogging", por preferon shumë ecjen dhe shëtitjen me biçikletë. Lajmet më të freskëta mbi shëndetin e tij i takojnë datës 3 korrik, kur shërbimi mjekësor i Elizesë kishte deklaruar se analizat e fundit kardiovaskulare dhe ato të gjakut që Presidenti kishte bërë, ishin brenda vlerave normale. Komunikata ku Elizeja bënte të ditura rezultatet e analizave ishte e dyta pas zgjedhjes së Sarkozisë më 6 maj të vitit 2007. I pari, i publikuar më 27 maj të viti 2007, tregonte se gjendja shëndetësore e Presidentit ishte "e mirë dhe në përputhje të plotë me ushtrimin e detyrës së Presidentit". Në atë kohë, Presidenti ishte angazhuar se do të publikonte në mënyrë të vazhdueshme buletine të herëpashershme mbi gjendjen e tij shëndetësore, duke thyer kështu sekretin e paraardhësve të tij. Megjithatë, më 21 tetor të vitit 2007, Elizeja nuk kishte dhënë asnjë lajm për shtrimin e tij me urgjencë në spitalin ushtarak Val-de-Grace në Paris, për një operacion të lehtë në fyt. Ndërhyrja u konfirmua zyrtarisht tre muaj më vonë. Edhe këtë herë mendohet se Sarkozi është shtruar sërish në Val-de-Grace, pasi një helikopter ushtarak u pa të fluturonte dje mbi qiellin e Versajës, rezidenca ku Presidenti kishte shkuar për të pushuar. Në këtë spital shtrohen zakonisht krerët e shtetit apo personalitete të tjera të rëndësishme. Ndërkaq, ky episod i ndodhur me Sarkozinë është parë edhe nga dëshmitarë okularë. Një grua, që ka dashur të ruajë anonimatin, ka treguar se ka parë një burrë të rrethuar nga truprojat që ra menjëherë në tokë. Ajo tregoi më tej se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 13.00-13.30 të ditës së djeshme në rezidencën "La Lanterne". Gruaja vazhdoi më tej, se nuk e kishte parë nëse burri ishte apo jo Presidenti francez, pasi nuk kishte arritur t‘i dallonte dot fytyrën, por e kishte parë vetëm nga pas. Po sipas dëshmitares, bashkëshortja Karla Bruni kishte ardhur menjëherë në vendngjarje me një motor super të shpejtë. Lajmi për shëndetin e Sarkozisë e bëri edhe Kryeministrin Fillon që të ndërpriste pushimet për t‘u rikthyer në Paris.