Dobiani, kemi denoncuar abuzimet e shtetit me të miturit
07/05/2005 Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, në një takim me drejtoren e UNICEF-it për Evropën Lindore, Qendrore dhe vendet e ish- Bashkimit Sovjetik, Maria Calivis, deklaroi se institucioni që ai drejton ka fituar ndaj shtetit në denoncimet për abuzim ndaj të miturve. “Ne deri tani, kemi ndërhyrë në rastet kur të drejtat e fëmijëve janë shkelur nga përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe në këtë drejtim kemi qenë të suksesshëm”, tha Dobjani. Sipas Dobjanit, “për të bërë akoma më shumë duhet të realizohen disa ndryshime ligjore, që do të na krijonin mundësi më të madhe në këtë drejtim”. Ai vlerësoi se roli i Avokatit të Popullit është shumë i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në këtë pikë, ai i tha drejtores së UNICEF-it për Evropën Lindore, Qendore dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, Maria Calivis, se bashkëpunimi i deritanishëm me Zyrën e UNICEF-it në Tiranë është optimal. Takimi i Calivis është zhvilluar dhe me kreun e shtetit, Alfred Moisiu, ku dukuria e trafikut të qenieve njerëzore, sidomos të fëmijëve të mitur, por edhe organeve të tyre me destinacion të brendshëm në Shqipëri dhe qarkullim në tërë Botën, e sidomos në vendet fqinje, cilësohet si shqetësues nga autoritetet e shtetit, por trajtimi i saj duhet bërë pa emocione.