E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Peqini", organizata e drogës, 13 në pranga

07/05/2005  Sekuestrohen 115 kile heroinë dhe laboratori i përpunimit

Antimafia italiane ka ndërmarrë operacione të shumta në dyjavëshin e fundit, kundër organizatave të trafikut të drogës dhe arrestimet më të shumta kanë qenë të shqiptarëve. Operacioni i koduar "Peqini", ka dërguar dy ditë më parë në qelitë italiane 13 shqiptarë, të cilëve u janë sekuestruar 115 kilogramë heroinë. Sipas hetuesve italianë, operacioni ka marrë emrin e vendit nga ishin trafikantët e narkotikëve. Agjentët e Grupit Operativ të Antidrogës së Nuklit Rajonal të Policisë Gjyqësore të Lombardisë, gjatë aksionit kanë vënë sekuestro dhe për një laborator ku përgatitej droga. Arben Çaushaj, Mezit Mali dhe Qemal Hoxha, janë tre nga të prangosurit që përmenden nga shtypi i vendit fqinj, duke mos dhënë emrat e të arrestuarve të tjerë.

Hetimi

Organizata ka qenë nën vëzhgimin e njësive speciale të antimafias që në korrikun e vitit të shkuar. Në këtë periudhë janë arrestuar 10 korrierë të drogës. Njëkohësisht u identifikua dhe adresa e vendndodhjes së laboratorit për "prerjen" e drogës, në rrugën "Macedonio Melloni" në nëntor. Ndërsa tani me ndalimin e krerëve të mundshëm të bandës dhe sekuestrimin e gati 100 kileve të një përzierje të rrezikshme kimike, të përbërë nga paracetamolë dhe kafeinë, të përdorur për të përgatitur heroinën e tipit "broen sugar". Operacioni i quajtur "Peqin", nga emri i qytetit nga vinin shqiptarët e arrestuar, ka çuar në burg mes të tjerëve Arben Çaushajn, i quajtur "Beni", 43-vjeçar, që sipas prokurorisë është konsideruar kreu i bandës. Ai është arrestuar në rrugën "Accursio", në periferinë e Milanos, së bashku me krahun e tij të djathtë, Mezit Mali, djaloshin 23-vjeçar. Ndërhyrja e policisë ka ardhur në momentin që të akuzuarit për trafik po merrnin substancën që do të përdorej për përgatitjen e kokainës që gjendej në makinën e një qytetari slloven. Një tjetër anëtar i rëndësishëm i organizatës, Qemal Hoxha, i quajtur "Kujtimi", 48 vjeç, është ndaluar brenda një diskoteke ku punonte si truproje.

Laboratori

Droga përpunohej dhe shpërndahej nga grupi i sapoarrestuar dhe goditur nga policia. Sasia e madhe e substancës që përdorej për përgatitjen e drogës, sipas hetimeve të deritanishme, bën të ditur planin e të arrestuarve për të hapur një laborator të ri klandestin për të zëvendësuar atë të kapur nga agjentët e antidrogës italiane. Janë sekuestruar gjatë operacionit edhe shumë numra telefonikë celularë dhe më shumë se 16 mijë euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›