E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përdorimi i ´97 tregon amoralitet

07/05/2005  Meta: "Përgjegjësit kryesorë të tragjedive, janë lidershipët e dy forcave të vjetra politike"

Kryetari i LSI-së hedh poshtë ftesën e Nanos për rikthim në PS

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka refuzuar ftesën e Kryeministrit Fatos Nano për bashkim të dy forcave, pas ndryshimit që PS i ka bërë statutit. Meta e ka cilësuar si një pëpjekje hipokrite të një lidershipi të mjerimit dhe të krizave, deklaratën e dhënë gjatë kongresit të socialistëve. Për kreun e LSI-së, kryetarit të PS-së iu dha shanci që brenda tetë vjetëve të sillte ndryshimin në Shqipëri dhe nuk mund të pretendohet më që ky ndryshim të vijë për dy muaj, që e ndajnë vendin nga zgjedhjet. Gjithashtu, Meta ka sulmuar mënyrën, me të cilën Partia Socialiste dhe përfaqësuesi i saj synon të përballojë zgjedhjet, duke nxjerrë si pikë referimi gjendjen e vendit në vitin 1997. “Evokimi me një pasion makabër të ngjarjeve të vitit 1997 dhe keqpërdorimi politik i vejushave dhe jetimëve të kësaj tragjedie, për të fituar disa vota nga fatkeqësia që pësuan shqiptarët në atë kohë, tregon edhe njëherë amoralitetin e qeveritarëve aktualë". Meta ka theksuar se PS-ja duhet të matet me distancën që na ndan nga Evropa dhe jo me vitin më tragjik që ka kaluar Shqipëria. Ai tha se “PS-ja, duke kërkuar që shqiptarët të krahasohen me tragjedinë e rëndë të ’97 , duan t’i bëjnë shqiptarët të harrojnë se sa larg BE-së ndodhen sot vendi, për shkak të dështimeve të mëdha të kësaj qeverie“.

Deklarata

Kreu i LSI-së e ka cilësuar si të dështuar strategjinë e socialistëve për të rikujtuar dhe një herë vitin ’97 pasi e njëjta strategji u përdor dhe në vitin 2001. Sipas tij, “rikthimi të ’97 është një përpjekje në mënyrë që shqiptarët të harrojnë fajtorët e vërtetë për gjendjen edhe më të rënduar ekonomike dhe sociale pas katër viteve që janë monopolet dhe korrupsioni i frikshëm i lidershipit aktual të qeverisë dhe partisë në pushtet. Përpjekja e tyre për t’u krahasuar sot në vitin 2005 me vitin 1997, synon të zhvendosë vëmendjen nga premtimet tërësisht të pambajtura që u bënë në vitin 2001. Duke krahasuar situatën aktuale me një nga tragjeditë më të mëdha që pësoi vendi ynë para 8 vitesh, këta zotërinj duan që shqiptarët të ndihen sot më mirë se në vitin 1997, edhe pse jeta e tyre është bërë më e vështirë, më e pasigurtë dhe më me pak shanse në vitet e fundit nga qeveria aktuale“. Në sulmet e Metës nuk është anashkaluar dhe kryetari i Partisë Demokratike. Ai tha se “shqiptarët e dinë që përgjegjësit kryesorë të tragjedive dhe problemeve të mëdha që ka vendi, janë lidershipët e dy forcave të vjetra politike, që kërkojnë të mbijetojnë në politikë, duke i mbajtur popullin në konflikt“.

Alterantiva

Mes rrugës drejt standardeve të Bashkimit Evropian dhe asaj të monopoleve, kreu i LSI-së u kërkon shqiptarëve që të bëjnë zgjedhjen e tyre. Sipas tij, “LSI fton shqiptarët të shikojnë drejt së ardhmes, standardeve të BE-së, të shohin se monopolet e qeveritarëve aktualë janë shkaku kryesor i varfërisë dhe njëkohësisht edhe pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë në BE. LSI-ja është garancia e të gjithë shqiptarëve për një politikë që shikon drejt së ardhmes dhe mirëqenies sociale”, tha Meta. Deklaratat kreu i LSI-së i ka bërë gjatë prezantimit të kandidatit për deputet në zonën e Cakranit, Bardhyl Fasko. Gjithashtu, ka prezantuar dhe kandidatin e Kuçovës, ish-sportistin Vladimir Skuraj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›