E Hënë, 2 Nëntor 2026

I mituri arratiset "qetësisht" nga Komisariati nr.4

07/05/2005  Policia arreston V.V. në Fushë-Bulqizë. Ndalohen e lirohen dy oficerët përgjegjës

TIRANË- Hajduti 17-vjeçar i një magazine me mallra ushqimorë këput telat tepër të hollë të dhomave të paraburgimit të Komisariatit numër 4 dhe arratiset tek të afërmit e tij në Fushë-Bulqizë, duke kaluar fillimisht mespërmes oborrit të komisariatit. Autoritetet zyrtare të këtij komisariati dhe përkatësisht shefi i saj, Bujar Laze, i kontaktuar në rrugë telefonike nga gazeta "Metropol", në lidhje me këtë ngjarje, është përgjigjur me frazën "Bjeri legenit, bjeri". Ndërkaq, burime nga ky komisariat bënë të ditur se, përveç arrestimit të adoleshentit 28 orë më pas dhe prangosjes së dy personave që e kanë ndihmuar, janë shoqëruar në ambientet e brendshme edhe nënoficeri i sallës operative dhe nënoficeri i informacionit, të cilët kishin përgjegjësi për arratisjen e të paraburgosurit. Pas marrjes në pyetje, dy kuadrot e lartë janë lënë të lirë. Nga ana tjetër, burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës konfirmuan për gazetën se V.V., 17 vjeç, lindur në Bulqizë dhe banues në Tiranë, u largua nga ambientet e sigurimit të Komisariatit nr.4, duke thyer hekurat e dhomës në të cilën ishte vendosur në pritje për t’u marrë në pyetje. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, i dyshuari ishte arrestuar para disa ditësh për shkak se u kap duke vjedhur magazinën "Pan Alba" me mallra ushqimore, në rrugën “5 Maji” në kryeqytet dhe ishte vendosur në dhomën e marrjes në pyetje të të dyshuarve. Krerët e komisariatit nuk kanë hezituar për të prangosur Ilir Gjonën, 25 vjeç dhe Bashkim Salliun, 48 vjeç, të dy nga Tirana, të cilët ndihmuan adoleshentin. Gjona dhe Salliu janë arrestuar disa ditë më pare, nën hetim për një vepër penale që dyshohen se kanë kryer, por prangosja e tyre, erdhi pasi duke qenë të izoluar në të njëjtin ambient me 17-vjeçarin V.V., e kanë ndihmuuar atë për t’u larguar dhe nuk kallëzuan krimin.

Arrestimi në Bulqizë

Në orën 07.45 të ditës së djeshme, rreth 3 furgonë me forca policore shkuan pranë Fushë-Bulqizës, pasi arritën të sigurojnë informacione të vlefshme, se 17-vjeçari i arratisur po fshihej te disa të afërm të tij. Burimet policore nga ky komisariat thanë për gazetën se pas rrethimit të zonës, të dyshuarit, nëpërmjet kontakteve të punonjësve të policisë me disa të afërm dhe familjarë, iu kërkua dorëzimi i tij. I arratisuri, pa rezistencë të gjatë, ka pranuar t’i rivihen prangat, duke u kthyer sot në mesditë, 28 orë pas arratisë në Komisariatin nr.4 në Tiranë, për të përfunduar në një dhomë izolimi të sigurisë së lartë, kësaj radhe pa "tela alumini".

Hekurat e qelive të Komisariatit, "tela alumini"

Ndonëse absurd, fakti që ky komisariat mbahet ende i rrethuar me tela të hollë, duhet besuar me arratisjen e "fshehur" që u bë publike një ditë më vonë. Burime nga ky komisariat kanë shprehur shqetësimin e tyre për një izolim kaq të dobët të personave që mbahen në qelitë e paraburgimit. Sipas këtyre burimeve, thuajse e njëjta gjendje mbizotëron edhe në disa komisariate të tjera të kryeqytetit, ku hekuri i dritares është i hollë dhe këputet me lehtësi.

Dy oficerët e Komisariatit, ndalohen e lirohen

Që në momentet e para të arratisjes së 17-vjeçarit, autoritetet e komisariatit kanë ndaluar menjëherë nënoficerin e sallës së informacionit dhe nënoficerin e sallës operative. Këtë lajm e bëjnë të ditur burime nga ky komisariat, të cilat thanë se pas arrestimit të adoleshentit në Fushë-Bulqizë, ata janë lënë të lirë. Përgjegjësia e arratisjes së V.V, sipas burimeve policore, ka qenë e këtyre dy oficerëve, të cilëve i paraburgosuri u kaloi mespërmes oborrit.Spektakli i arratisjes së tre vrasësve në qytetin verior

Në datën 10.02.2005, rreth orës 03.00, në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Shkodrës arratisen Miçan Çarku, 23 vjeç, lindur dhe banues në Theth, Dukagjin, i dënuar me vendim të formës së prerë me 13 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes, Bujar Dakaj, 24 vjeç, lindur në Cërnicë, Tropojë dhe banues në Shkodër, dënuar me 20 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes, vepër penale e konsumuar në bashkëpunim me shtetasin Arben Gjelosh Nika dhe Arben Nika, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shtoj i Vjetër, Shkodër, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Faktit Shkodër, pasi është autor i vrasjes së dy shtetasve. Nga hetimet paraprake rezultoi se të arratisurit janë ndihmuar nga punonjësit e policisë Franko Kolpepaj, polic shërbimi në dhomat e paraburgimit, i cili ka qenë në shërbim në kohën e arratisjes së të paraburgosurve dhe Shan Vatnikaj, polic shërbimi në dhomat e paraburgimit, i cili ka qenë në shërbim në kohën e arratisjes së të paraburgosurve, të cilët u arrestuan pas kërkimeve. Policia shqiptare ofroi 10 milionë lekë për cilindo që rrëfen vendndodhjen e sigurtë të Bujar Dakajt. Ky i fundit u arrestua më vonë në Shkodër, pas një ndjekjeje të të afërmve të tij që i sillnin ilaçe.

Raste arratisjesh

17 prill 2002

Nga burgu i Bënçës në Tepelenë tentojnë të arratisen 3 të burgosur. Gezmend Braka (Gaxhai), Eduart Ymeri (Kartela) dhe Viktor Ymeri bëjnë një përçapje për të dalë nga hekurat e burgut. Tentativa dështon dhe ata transferohen në një burg tjetër.

24 prill 2002

Ndonëse i plagosur dhe nën masa të rrepta sigurie nga shërbimet e policisë së rendit, Eduart Syla arrin të largohet nga Spitali Ushtarak i kryeqytetit. Ai ishte arrestuar nga një komisariat verior. Pas disa orësh në liri, i prangosuri kapet nga policia në pamundësi për t’ia mbathur jashtë vendit.

7 gusht 2002

Gaxhai tenton sërish të fitojë lirinë. Në bashkëpunim me të dënuarit e përjetshëm Viktor Ymeri dhe Taulant Balliu, arritën të hapnin në një kohë të shkurtër dy tunele, duke përdorur mjete metalike. Gaxhai u kap pa mundur të bëjë asnjë hap jashtë burgut.

12 mars 2003

Tre nga të paraburgosurit e komisariatit të Kukësit arrijnë të largohen nga ambientet policore. Hetimet e bluve dhe policisë së burgjeve konstatojnë se njëri nga të arratisurit kishte arritur të largohej nga Shqipëria, ndërsa dy të tjerë u vunë në pranga.

2 maj 2003

Arratia më e suksesshme e të burgosurve mbetet ajo nga komisariati i Dibrës. Dhjetë të prangosur dalin nga qelitë e paraburgimit pa hasur në asnjë vështirësi. Policia kap pak orë më pas 8 prej tyre, ndërsa arrijnë t’ia mbathin dy të tjerët. Njëri prej tyre u arrestua në Durrës, ndërsa tjetri gëzon lirinë.

2004

Dy të mitur nga Tirana arrijnë të arratisen njëri pas tjetrit nga qelitë e burgut. Njëri prej tyre akuzohej për vrasje, e pasi ishte liruar me kusht, nuk pranoi të kthehej më në burg. Më pas ai dorëzohet vulltenarisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›