E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobins:SHBA do vazhdojë të mbështesë Kosovën

Analisti dhe drejtori i Qendrës për Sigurimin Ndërkombëtar dhe Politikat e Mbrojtjes në korporatën RAND, Xhejms Dobins ka deklaruar se mbështetja amerikane për Kosovën do të vazhdojë dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim në kahun e kundërt, pavarësisht faktit se SHBA-të janë të angazhuara në dy luftëra, si dhe ndeshen me një krizë shumë të rëndë financiare. Dobins ka thënë se administrata demokrate, ka një ndjenjë përgjegjësie dhe paternaliteti për Ballkanin në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti, pasi ka qenë edhe një nga përparësitë e politikës së jashtme të administratës Klinton dhe të vetë zonjës Klinton, sekretares aktuale të Shtetit. "Mendoj se interesi dhe angazhimi në Ballkan do të vazhdojë, por për fat të mirë ky nuk është një rajon në krizë. Do të shikojmë në përgjithësi një vazhdimësi të politikës së presidentit Bush, ndoshta pak më shumë vëmendje, duke pasur parasysh historinë e Partisë Demokrate me Ballkanin dhe përvojën e administratës Klinton", tha ai. Sipas Dobins, në përgjithësi administrata Bush ndoqi politikën e administratës Klinton në Ballkan. Ajo nuk devijoi prej saj siç bëri në rajone të tjera të botës. "Prandaj, mendoj se në Kosovë si dhe në gjithë rajonin do të ruhet vazhdimësia në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara", shtoi Dobins. Në përgjithësi Dobins e sheh pozitivisht ecurinë e zhvillimeve në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe vlerëson udhëheqjen e vendit për përpjekjet, vendosmërinë dhe maturinë e saj në trajtimin e problemeve komplekse që ndesh shteti i ri i Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›