Kaidanoua:Kosova e Serbia të nisin bisedimet
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kaidanoua ka deklaruar se Beogradi dhe Prishtina duhet të bisedojnë për çështjet që kanë të bëjnë me jetën e të gjithë njerëzve në Kosovë, e sidomos serbëve. Kaidanoua gjithashtu ka shfaqur bindjen e saj se, do të ketë edhe më shumë njohje të Kosovës. "Do të ishte mirë sikur Kosova dhe Serbia të gjenin një mënyrë për t'i zgjidhur këto çështje, dhe jo patjetër nëpërmjet bisedimeve direkte", ka thënë Kaidanoua. Ajo ka shtuar se shpreson që me ndërmjetësimin e BE-së do të gjendet mënyra për bisedime, sepse, sipas saj, Bashkimi Europian i pranon të dyja palët.Kaidanoua ka thënë se të gjithë e kanë të qartë se në këtë pjesë të Europës ekzistojnë probleme të pazgjidhura, mirëpo qeveria amerikane shpreson që shtetet e rajonit, bashkërisht, do të arrijnë t'i zgjidhin ato. Kaidanoua ka theksuar se Kosova do të konkurrojë për t'u pranuar në institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare. Ndërkohë që Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, me rastin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës ka thënë se të gjithë e kanë të qartë se Kosova nuk është shtet dhe i ka porositur serbët e atjeshëm se shteti serb do të vazhdojë të kujdeset për ta. Tadic ka përsëritur frazën e tij të njohur se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe se do ta mbrojë legjitimitetin e saj me mjete diplomatike e juridike përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.